Gjorgjievski: Shkupi po ndryshon fytyrën me investime kapitale në komunikacion, ekologji dhe hapësira publike

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, në një konferencë për media paraqiti sot raportin për punën e realizuar gjatë vitit të kaluar, duke u ndalur te gjendja financiare e qytetit, projektet infrastrukturore, transporti publik, higjiena komunale dhe mbrojtja e mjedisit jetësor.

Ai theksoi se janë ulur borxhet e Qytetit dhe të ndërmarrjeve publike, se po realizohen një sërë projektesh kapitale dhe paralajmëroi investime të reja në infrastrukturën e komunikacionit, gjelbërimin dhe shërbimet publike.

Gjorgjievski deklaroi se pas marrjes së mandatit është arritur konsolidimi financiar i Qytetit të Shkupit, pavarësisht borxhit të trashëguar prej afro 300 milionë eurosh dhe gjendjes së rënduar në ndërmarrjet publike. Sipas tij, janë ulur detyrimet financiare të qytetit dhe të institucioneve publike, ndërsa disa institucione kulturore tashmë janë plotësisht pa borxhe.

Duke folur për infrastrukturën, ai nënvizoi se po përfundojnë disa projekte të mëdha, përfshirë zgjerimin e bulevardit “Boris Trajkovski”, ndërtimin e nyjës rrugore në Momin Potok, lidhjen e rrugëve “Ljublanska” dhe “Skupi” me një urë të re mbi lumin Vardar, si dhe aktivizimin e projekteve të tjera të rëndësishme rrugore në pjesë të ndryshme të qytetit.

Sipas tij, këto investime do të lehtësojnë ndjeshëm qarkullimin dhe do të lidhin zona të qytetit që deri më tani kanë qenë të papërfshira në rrjetin modern të komunikacionit.

Ai bëri të ditur gjithashtu se është në përfundim procedura për ndërtimin e dy garazheve shumëkatëshe me mbi 500 vende parkimi në Qendrën Klinike.

Në fushën e transportit publik, Gjorgjievski tha se Shkupi është pranë realizimit të projektit për transport të shpejtë me autobusë (BRT), duke theksuar se korrigjimet e projektit do të mundësojnë ruajtjen e gjelbërimit ekzistues. Ai përmendi edhe funksionalizimin e trenit urban në linjën Zelenikovë-Shkup, si dhe furnizimin e ardhshëm me 100 autobusë të rinj ekologjikë.

Në raportin e tij, kryetari i qytetit theksoi edhe përmirësimin e higjienës publike, furnizimin me mijëra kontejnerë të rinj, shtimin e automjeteve komunale dhe procesin për mbylljen e deponisë “Vardarishte”, në vendin e së cilës parashihet ndërtimi i një mega-parku me sipërfaqe prej rreth 600 mijë metrash katrorë.

Në segmentin ekologjik, ai njoftoi se aktualisht po krijohen mbi 200 mijë metra katrorë sipërfaqe të reja të gjelbra, përfshirë mega-parqe dhe korridore të gjelbra në disa pjesë të qytetit. Gjithashtu, u paralajmërua një aksion vjeshtor për mbjelljen e më shumë se 6.000 fidanëve.

Gjorgjievski foli edhe për investimet në arsim, duke theksuar pajisjen e shkollave të mesme me kabinete moderne, laboratorë, pajisje të reja mësimore, fusha sportive dhe teknologji bashkëkohore. Ai përmendi gjithashtu mbështetjen për nxënësit e dalluar dhe projektet për efikasitet energjetik në objektet shkollore.

Në fushën e sportit, ai veçoi rindërtimin e kompleksit sportiv në bregun e Vardarit dhe funksionalizimin e sallës sportive “Rasadnik”, ndërsa në aspektin social përmendi hapjen e një strehimoreje për viktimat e dhunës në familje, një qendre për persona me aftësi të kufizuara, si dhe qendra mbështetëse për personat me diabet dhe paralizë cerebrale.

Duke folur për kulturën, Gjorgjievski theksoi se Shkupi e ka ruajtur statusin e Kryeqytetit Evropian të Kulturës 2028, ndërsa paralajmëroi vazhdimin e projekteve për ndërtimin e Sallës Universale, revitalizimin e Kalasë së Shkupit dhe përmirësimin e infrastrukturës kulturore të qytetit.

Në fund të paraqitjes së tij, kryetari i Shkupit tha se programi me të cilin fitoi besimin e qytetarëve do të realizohet plotësisht dhe se me mbështetjen e Qeverisë do të vazhdojë transformimi i qytetit në të gjitha segmentet e jetës urbane.

“Do të punojmë, do të ndërtojmë dhe do të këmbëngulim derisa ndryshimi të arrijë në çdo lagje të Shkupit. Për Shkupin, për shkupjanët dhe për qytetin që me krenari do t’ua lëmë fëmijëve tanë”, deklaroi Gjorgjievski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër