Mickoski: Nënshkruhet Programi Kombëtar për Punë Dinjitoze 2026–2030, puna dhe dijet duhet të vlerësohen

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski mori pjesë sot në nënshkrimin e Programit Kombëtar për Punë Dinjitoze për periudhën 2026–2030, duke theksuar se qëllimi i Qeverisë është krijimi i një ekonomie në të cilën puna respektohet dhe ku puna siguron një jetë dinjitoze për çdo familje.

“Sot flasim për një nga temat më të rëndësishme për çdo shoqëri. Për punën. Për njeriun që krijon, prodhon, ndërton dhe me punën e tij siguron jetën e familjes së vet. Flasim për dinjitetin e punës, për të drejtën e çdo njeriu për të pasur një punë të ndershme, pagë të drejtë, kushte të sigurta pune dhe mundësi për të përparuar”, theksoi Mickoski në fjalimin e tij.

Ai nënvizoi se Qeveria është e përqendruar në tejkalimin e sfidave serioze me të cilat përballet tregu i punës, si mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, emigrimi i të rinjve dhe mospërputhja ndërmjet arsimit dhe ekonomisë. Sipas tij, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet të rinjve dhe fuqizimit ekonomik të grave.

“Nuk duam që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre vetëm jashtë atdheut të tyre. Duam që këtu ta marrin mundësinë e parë, këtu të ndërtojnë karrierë, këtu të krijojnë familje dhe këtu t’i realizojnë ambiciet e tyre. Po ashtu, duhet të krijojmë më shumë mundësi për fuqizimin ekonomik të grave, për pjesëmarrje më të madhe të tyre në tregun e punës dhe për mundësi të barabarta për zhvillim profesional”, shtoi kryeministri.

Në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ONP), programi parashikon reforma në legjislacionin e punës, modernizimin e institucioneve, forcimin e mbikëqyrjes inspektuese dhe zhvillimin e aftësive të reja.

“Ligjet janë të rëndësishme. Programet janë të rëndësishme. Memorandumet janë të rëndësishme. Por më e rëndësishmja është që qytetarët t’i ndiejnë rezultatet e tyre. Punëtori të ndiejë më shumë siguri. I riu të marrë një mundësi të vërtetë. Gruaja të ketë një shans të barabartë për përparim”, porositi Mickoski.

Kryeministri përfundoi se burimi më i madh i shtetit janë njerëzit dhe se zbatimi i programit fillon menjëherë, me qëllim që qytetarët të kenë një të ardhme të sigurt në vendin e tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër