Siljanovska-Davkova priti kryetaren e Kuvendit të Kosovës, në fokus eurointegrimet dhe bashkëpunimi bilateral

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova priti Albulena Haxhiun, kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila po qëndron për një vizitë zyrtare në vend.

Ajo shprehu kënaqësi për zhvillimin e marrëdhënieve maqedono-kosovare, të cilat karakterizohen nga dialog i rregullt politik, qëllime të përbashkëta strategjike dhe qëndrime të harmonizuara për çështjet ndërkombëtare.

Siljanovska-Davkova theksoi se fqinjësia e mirë, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe nismat si procesi Brdo-Brijuni kontribuojnë në respekt më të madh, mirëkuptim dhe njohje të Ballkanit Perëndimor si partner kredibil i Bashkimit Evropian.

Presidentja rikonfirmoi mbështetjen për aspiratat euroatlantike të Kosovës. Ajo ritheksoi se në procesin e anëtarësimit në BE, shtetet duhet të vlerësohen në mënyrë të drejtë, bazuar në kriteret e Kopenhagës.

Si ish-deputete, Siljanovska-Davkova vlerësoi se roli i parlamenteve dhe bashkëpunimi parlamentar janë kyç për thellimin e proceseve demokratike. Ajo inkurajoi vazhdimin e dinamikës pozitive përmes takimeve të rregullta ndërmjet parlamentarëve dhe shkëmbimit të praktikave të mira, veçanërisht në funksion të proceseve eurointegruese.

Haxhiu falënderoi për miqësinë dhe solidaritetin maqedonas të dëshmuar ndër vite. Sipas saj, komuniteti shqiptar në vend ka një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve. Ajo theksoi se e vlerëson lart kontributin e Maqedonisë për paqen dhe stabilitetin e Kosovës përmes KFOR-it dhe NATO-s, si dhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.

Të dyja bashkëbisedueset përshëndetën përparimin në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, duke theksuar se për këtë është i nevojshëm avancimi i mëtejshëm i lidhjeve infrastrukturore ndërmjet dy vendeve dhe lehtësimi i procedurave doganore.

Bashkëbisedueset shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet aktuale politike, duke u pajtuar se pajtimi dhe paraqitja e fuqishme rajonale kontribuojnë në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe në një pozicionim më të mirë ndërkombëtar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër