Tiranë, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, prezantoi paketën e Partisë Demokratike për ndarjen e shtetit nga partia, e cila parashikon ndërhyrje në tetë fusha kryesore, me synim ndalimin e përdorimit të administratës, fondeve dhe instrumenteve publike për përfitime elektorale.
Gjatë prezantimit para grupit parlamentar të PD-së, Bylykbashi u shpreh se problemi kryesor lidhet me përdorimin e pushtetit shtetëror në konkurrimin politik dhe me ndikimin që kjo praktikë ka te zgjedhësit.
“Partia duhet të konkurrojë me burimet e veta, ndërkohë që shteti duhet të qeveriset me burimet e shtetit. Kjo është ndarja që duhet të garantohet 365 ditë të vitit dhe jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore”, deklaroi Bylykbashi.
Fusha e parë e paketës lidhet me administratën publike, për të cilën parashikohet mbrojtja nga presioni politik dhe hierarkik, për të garantuar neutralitetin e saj. Ndërhyrja e dytë përfshin pushtetin normativ, fiskal dhe social, me kufizime ndaj vendimmarrjeve që mund të përdoren për përfitime elektorale, si bonuset, pensionet, shtesat e pagave, paga e 13-të dhe fondet përmes prokurimeve publike.
Fusha e tretë përfshin buxhetin, prokurimet dhe investimet publike, me synimin për të parandaluar përdorimin e fondeve dhe pasurisë shtetërore në funksion të fushatave. Për këtë pikë, Bylykbashi theksoi se paketa nuk synon të pengojë funksionimin normal të institucioneve.
“Këto masa nuk kanë për qëllim të ndalojnë shtetin të funksionojë, nuk kanë për qëllim të ndalojnë ekonominë të funksionojë. Përkundrazi, ato synojnë që fondet publike, prokurimet dhe investimet të mos përdoren për të krijuar avantazh elektoral për partinë në pushtet”, u shpreh ai.
Pika e katërt lidhet me patronazhimin dhe ndalimin e rrjeteve që përdorin administratën, punësimin dhe shërbimet publike për të ndikuar te qytetarët. Në këtë kontekst, Bylykbashi përmendi regjistrin e “Pranisë Besnike” të Partisë Socialiste.
“Prania Besnike është një mekanizëm që përdoret për të identifikuar qytetarët dhe për të ndikuar në marrëdhënien e tyre me administratën dhe shërbimet publike. Kjo praktikë do të ndalohet dhe do të ndëshkohet”, deklaroi Bylykbashi.
Fusha e pestë përfshin kontrollin dhe pushtetin shtrëngues, ku parashikohet ndalimi i inspektimeve, kontrolleve dhe masave administrative selektive, të përdorura si instrumente presioni elektoral. Ndërsa fusha e gjashtë lidhet me të dhënat personale, duke ndaluar përdorimin e bazave të të dhënave shtetërore dhe private për profilizimin politik, targetimin dhe kontrollin e zgjedhësve.
“Sot, përmes mekanizmave tashmë të sofistikuar, kontrolli ka kaluar nga kontrolli i votës te kontrolli i vetë zgjedhësit. Përdorimi i të dhënave personale për të identifikuar, profilizuar dhe targetuar qytetarët është një ndërhyrje që cenon lirinë e tyre për të zgjedhur. Këto mekanizma duhet të ndalohen”, tha ai.
Ndërhyrja e shtatë parashikon kufizime për përdorimin elektoral të funksionit publik dhe aktiviteteve zyrtare, përfshirë inaugurimet, vizitat dhe inspektimet nga kryeministri, ministrat dhe drejtuesit e lartë. Fusha e tetë lidhet me propagandën institucionale dhe median, duke synuar ndalimin e përdorimit të veprimtarisë dhe arritjeve të institucioneve për avantazh të partisë në pushtet.
Bylykbashi bëri të ditur se paketa përmban më shumë se 45 nene, që parashikohen të përfshihen në Kodin Zgjedhor, në ligje të tjera dhe në Kodin Penal. Masat do të zbatohen në periudha të ndryshme: disa do të jenë të përhershme, ndërsa të tjera do të hyjnë në fuqi me dekretimin e datës së zgjedhjeve, regjistrimin e subjekteve zgjedhore ose fillimin e fushatës. Për disa masa të posaçme parashikohet një afat deri në 10 vjet, i ndarë në dy periudha pesëvjeçare.
Një tjetër propozim është krijimi i një mekanizmi të posaçëm pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili të mundësojë ndërhyrjen gjatë procesit zgjedhor për ndalimin e shkeljeve, rivendosjen e ligjshmërisë dhe vendosjen e sanksioneve.
“Duhet të kemi një mekanizëm ndalues, rivendosës dhe sanksionues. Nuk mund të presim që zgjedhjet të përfundojnë dhe më pas të konstatojmë se ka pasur shkelje. Mekanizmi duhet të ndërhyjë në kohë, të ndalojë shkeljen dhe të rivendosë ligjshmërinë, ndërsa përgjegjësit duhet të marrin sanksionet përkatëse”, deklaroi Bylykbashi.
Sanksionet e parashikuara përfshijnë masa administrative, si largimi nga detyra dhe gjoba, krijimin e veprave të reja penale, humbjen e mandatit për kandidatët që përfitojnë nga përdorimi i burimeve shtetërore, si dhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve kur shkeljet ndikojnë në një zonë të tërë zgjedhore ose në shkallë kombëtare. Vendimmarrja përfundimtare për humbjen e mandatit do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese.
Bylykbashi theksoi se masat nuk synojnë të pengojnë qeverisjen, por të garantojnë barazinë në konkurrimin zgjedhor. “Masat gjysmake nuk shërbejnë. Zgjidhja duhet të jetë e plotë, sepse përndryshe nuk mund të garantohet ndarja reale e shtetit nga partia”, u shpreh ai.
Paketa mbështetet në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, dokumentet e Komisionit të Venecias dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
“Kjo paketë nis me ndryshimin e sistemit zgjedhor, përkatësisht me sistemin kombëtar me listë 100% të hapur, dhe vijon me propozimet e tjera të reformës”, përfundoi Bylykbashi.

