Koçan, 14 nëntor Zhurnal.mk – Në marshimin e 51-të për engjëjt në Koçan, prindërit e viktimave që humbën jetën në zjarrin në diskotekën „Puls“ kërkuan sot mbështetje masive nga familjet e të plagosurve dhe përgjegjësi konkrete nga institucionet. Duke folur para Gjykatës Themelore dhe para policisë, Dragi Stojanov dhe Valentina Hristovska theksuan se kërkojnë drejtësi për 63 viktimat dhe se protestat janë paqësore, me qëllim të vetëm zbardhjen e plotë të rastit.
Dragi Stojanov, babai i një djali që humbi jetën në zjarrin në diskotekën „Puls“ në Koçan, gjatë fjalimit para Gjykatës Themelore u bëri thirrje prindërve të fëmijëve të plagosur që t’u bashkohen marshimeve për drejtësi, duke shprehur zhgënjim që deri më tani nuk kanë qenë pjesë e tyre.
Ai falënderoi prindërit që kanë dalë për të dhënë mbështetje, por theksoi se lufta për drejtësi duhet të jetë e përbashkët. Stojanov u shpreh se prindërit e të plagosurve duhet të marshojnë për fëmijët e tyre, në mënyrë që ata të jetojnë në paqe dhe mirëqenie, e jo të zgjohen natën pa gjumë.
Në fjalimin e tij, Stojanov kërkoi përgjegjësi nga institucionet kompetente dhe paralajmëroi se mosndëshkimi i përgjegjësve për tragjedinë ku humbën jetën 63 persona do të dërgonte një mesazh të rrezikshëm për shoqërinë. Ai i bëri thirrje publike kryetarit të Komunës së Koçanit që të qëndrojë pranë prindërve, ndërsa kritika drejtoi edhe ndaj këshilltarëve komunalë, drejtuesve të policisë dhe inspektorëve.
Ai theksoi se marshimet janë paqësore dhe se familjet nuk protestojnë kundër Qeverisë apo politikanëve të caktuar, por kërkojnë drejtësi për fëmijët e tyre, për sa kohë që janë gjallë.
Në marshimin e 51-të për engjëjt në Koçan, para policisë u drejtua edhe Valentina Hristovska, nëna e të ndjerit Pavel. Ajo tha se familjet po marshojnë sërish me kërkesën për të vërtetën, përgjegjësi dhe drejtësi, duke theksuar se lufta e tyre përfshin edhe të gjitha viktimat e tjera të pafajshme nga tragjeditë në Maqedoni.
Hristovska përmendi aksidentin në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona, zjarrin në spitalin modular në Tetovë me 14 viktima, aksidentin e autobusit të „Besa Trans“, ku humbën jetën 45 persona, si dhe zjarrin në diskotekën „Puls“ në Koçan, me 63 të vdekur dhe mbi 200 të plagosur, ku në total humbën jetën 138 persona.
Në fjalimin e saj, ajo kujtoi edhe gratë dhe vajzat, jetët e të cilave u ndërprenë dhunshëm, mes tyre Tankica nga Koçani, Rosica nga Velesi, Emilija nga Shtipi, Ramajana nga Shuto Orizarja, Ivana nga Shkupi dhe vajza 17-vjeçare nga Bogdanci. Ajo u bëri thirrje institucioneve që të reagojnë me kohë ndaj denoncimeve për dhunë.
Duke iu referuar zjarrit në „Puls“, Hristovska rikujtoi pretendimet publike për dështime institucionale shumëvjeçare dhe premtimet se të gjithë të përfshirët do të mbajnë përgjegjësi. Ajo theksoi se familjeve nuk u nevojiten premtime të reja, por veprime konkrete dhe rezultate të dukshme.
Ajo porositi se humbja e fëmijëve të tyre duhet të shërbejë si paralajmërim për secilin që merr vendime, nënshkruan leje, kryen kontrolle apo pranon denoncime për dhunë, duke shtuar se familjet kërkojnë institucione që mbrojnë jetët njerëzore me vepra, e jo vetëm me fjalë.

