Editorial / BE bie në grackën e vet të ngutisë për Shqipërinë dhe Malin e Zi

Nga B.M
976 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup/Bruksel, 04 Prill 2026, Zhurnal.mk – Deri para 18 muajve brenda Bashkimit Evropian, dhe sidomos në vendet aspiruese të Ballkanit Perëndimor, patën shpërthyer ankesat dhe kritikat ndaj 27 qeverive të vendeve anëtare të bllokut evropian se procesi i zgjerimit është ndalur, se nuk po bëhej ecje përpara për asnjë prej vendeve të rajonit.

Por në 18 muajët e fundit, gjërat kanë filluar të lëvizin për të mirë në këtë aspekt për Shqipërinë dhe Malin e Zi për anëtarësimin e premtuar në Bashkim Evropian.

Kritikat e para 18 muajëve ndaj BE-së dhe vetëkritikat e individëve nga institucionet e BE-së në Bruksel, ndikuan në një ndezje motori nga 27 qeveritë e vendeve anëtare për të përmirësuar këtë “gabim” në strategjinë e zgjerimit, shkruan Zhurnal.mk.

Vendimi politik

Që nga tetori i vitit 2024, kur Shqipëria e hapi kapitullin e parë, përkatësisht grupin e parë të kapitujve [ang. cluster] tash ajo arriti që t’i hapë që të gjithë, pra krejt 33 kapitujtë.

Nuk mbahet mend që në fazat e mërparshme të zgjerimit të BE-së të ketë hapur apo të jenë hapur brenda një periudhe kaq të shpejt krejt kapitujt e bisedimeve të anëtarësimit për ndonjë vend kandidat.

Me Shqipërinë është shënuar një shpejtësi e rreptë, një rekord kohor në hapjen e krejt kapitujve.

Ndërkohë, Mali i Zi nga 7 kapitujt të mbyllur asaj kohe dhe pas një pushimi 4-5 vjeçar, gjatë kësaj periudhe tash arriti në 14 kapituj negociues të mbyllur.

Por çfarë ndodhi njëkohësisht në Shqipëri e Mai të Zi gjatë këtyre 18 muajëve të këtij ritmi të përshpejtuar nga vet qeveritë e BE në procesin e bisedimeve të anëtarësimit?

Shqipëria

Rastet e ngritjes së akuzave për korrupsion të niveleve më të ulëta zyrtare, apo edhe ish-zyrtarëve të lartë, janë jashtëzakonisht të numërta në Shqipëri, e deri tek rasti më i fundit i Belinda Ballukut e cila akuzohet për shkelje rregullash të shpalljeve publike të tenderimit të projekteve, dhe hetimet e shumta të tjera dosjeve nga prokuroria në sektorin e ndërtimit.

Gjatë këtyre 18 muajve opozita në Shqipëri vazhdoi që të ngriste zërin vazhdimisht ndaj qeverisë së Edi Ramës duke e akuzuar atë dhe zyrtarët e tij për korrupsion e keqpërdorim masiv të buxhetit të shtetit.

Iu deshtën BE-së muaj të tërë për t’u zgjuar e për të pranuar se në Shqipëri ka probleme të mëdha me sundim rendi e ligji. Dhe në rend të parë më të zëshmit javëve të fundit janë disa anëtarë të parlamentit evropian, u mor vesh të partise popullore evropiane në të cilën është anëtare partia më e madhe opozitare ne Shqipëri.

Eshtë dëgjuar edhe zëri i zbehët i Komisioneres Marta Kos dhe zëdhënësve të Komisionit Evropian, por vetëm pas eskalimit të protestave të shpeshta nga opozita.

Ndërkohë nuk kemi dëgjuar në publik ndonjë qeveri të 27 vendeve që të ketë ngritur zërin ndaj problemeve të mëdha në Shqipëri me korrupsionin që tash askush në BE nuk mund të pretendojë se nuk po ndodhë.

Në këtë listë dukurish negative në ngjarjet e brendshme në Shqipëri, hyjnë edhe çështja e keqpërdorimeve të fondeve të BE-së në vendin kandidat.

U bënë tash 3 vite dhe epilogu ende zvarritet, dhe Komisioni Evropian vazhdon që të pezullojë dërgimin e parave të tjera për bujqit e Shqipërisë, duke pritur rezultate nga autoritetet e vendit për paratë e keqpërdorura të taksapaguesëve të BE-së.

E ndërkohë, BE vazhdoi që të hapë krejt kapitujt me qeverinë e Ramës, sikur asgjë e keqe nuk po ndodhte në Shqipëri.

Këtu ka një përplasje të jashtëzakonshme midis qëndrimeve zyrtare të BE-së dhe qeverive të vendeve të saj se rendi e ligji dhe beteja kundër korrupcionit janë ndër shtyllat kryesore të procesit të anëtarësimit, dhe gjendjes faktike ne zbatimin e reformave në vendin kandidat, shkruan Zhurnal.mk.

 Mali i Zi

Në të njëjtën kohë, përkatësisht periudhë kohore, ne vendin fqinj verior tê Shqiperisê, në Mal të Zi, cilësia e ligjeve të miratuara që duhen për mbyllje kapitujsh po dobësohet dhe ato po miratohen në parlament me shpëjtësi të paparë ndonjë herë në vend.

Së fundi është rasti i ligjit për ministrinë e brendshme dhe agjencionin kombëtare të sigurisë [ANP]. Që të dy këto ligje të miratura në procedurë “urgjente” nga shumica parlamentare e Malit të Zi, janë kritikuar nga vet Komisioni Evropian, dhe megjithatë qeveritë e vendeve anëtare të BE-së para dy javëve ia mbyllën kapitullin negociues, të 14-tin me radhë, qeverisë së Milojko Spajiçit.

Edhe këtu ka një përplasje të qartë midis thirrjeve të BE-së për reforma të shëndosha dhe mbylles së kapitujve që publikisht kritikohen edhe nga vet Komisioni Evropian.

Rezultati i ngutisë

Rezultati është i thjeshtë. Tentimi i qeverive të vendeve anëtare të BE-së për të “korigjuar” vonesat e disa viteve në procesin për pranimin e anëtarëve të rinjë, po bënë që qeveritë në Shqipëri dhe Mal të Zi të përfitojnë e të lavdërohen përditë për përparime të shpejta në rrugën për hyrje në BE, duke anashkaluar me të madhe cilësinë e reformave e në të njëjtën kohë rrëmbimin e krejt strukturave të shtetit nga pushteti.

Në BE e thonë shpesh se reformat nuk përmbyllen me votim ligjesh, por me zbatim të rreptë të tyre.

Rasti “Balluku” është ilustrimi më i qartë i të kundërtës që po ndodhë në Shqipëri, dhe sidomos kur kryeministri shqiptar tash synon që edhe t’i ndryshojë ligjet për të mbrojtur nga prokuroria anëtarët e qeverisë, pra edhe vehten e tij.

Akuza të ngjashme për rrëmbim shteti, ka edhe nga opozita në Mal të Zi ndaj qeverisë së Spajiçit, përkatësisht parnterëve të tij qeveritar nga partia Demokratët të Aleksa Beçiçit, e cila e ka ministrinë e brendshme.

Këto dy përvoja nuk e bëjnë më bllokun evropian të besueshëm, kur përfaqësuesit e saj e qeverive në vendet anëtare lavdërohen për sundim ligji e rendi e betejë kundër korrupcionit dhe flasin për proces anëtarësimi të bazuar në siç thonë “të bazuar në merita”.

Ngutia e madhe e BE-së për të pranuar Shqipërinë dhe Malin e Zi po bënë që qeveritë e të dy vendeve kandidate të përfitojnë dinakërisht, e kështu të dëmtojnë trumbetimet e BE-së për reforma cilësore në ligj e rend, e në të njëjtën kohë edhe rendin e ligjin, cilësinë e demokracisë e llogaridhenien në këto dy vende.

Kjo dukuri ndodhë pikërisht meqë qeveritë e vendeve anëtare të BE-së sikur po i mbyllin sytë tash për tash për të ngutur procesin e zgjerimit për të korrigjuar vonesat e së kaluarës.

E ardhmja

Por sa kohë do të vazhdojnë qeveritë e BE-së të pretendojnë se gjithçka është në rregullë me reformat në këto dy vende?

Kjo përgjegje mbase nuk do të vonojë, sepse tash problemet nuk po mund të mbahen larg publikut sepse ato kanë shpërthyer haptazi në të gjitha anët.

Edhe nëse qeveritë e BE-së do të vazhdojnë që të shtyejnë përpara ritmin e tashëm të bisedimeve të anëtarësimit me këto dy vende, megjithatë epilogu, përkatësisht se kur do të përmbyllen negociatat, përkatësisht krejt kapitujt, mbetet ende një e panjohur, përkundër parashikimeve që po bëhen në Tiranë dhe Podgoricë, e për të cilat afate kohore ka simpati, e madje edhe synim edhe nga disa institucione të BE-së, por edhe nga disa qeveri të vendeve anëtare, por jo që të gjitha prej tyre.

Përgjegja ende nuk është definitive për Shqipërinë, sidomos sepse Greqia ende nuk e ka thënë fjalën e fundit për detin Jon ku ka gaz e naftë, edhe pse ajo motivin nuk e ka tek cilësia e reformave në ligj e rend, dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Motivet e Greqisë, dhe “këndellja” e qeverive të tjera për gjendjen në Shqipëri, kur bëhen bashké, mund të shënojnë moment tê ri dhe frenim të ritmit të 18 muajve të kaluar.

E ndërkohë, qeveria në Mal të Zi me gjasë do të vazhdojë që të përfitojë nga kjo nguti dhe mbyllje sysh nga BE për cilësi reformash e të mbyllë bisedimet e anëtarësimit këtë vit.

Ky parashikim dhe synim i qeverisë së Spajiçit dhe disave në institucione e vende anëtare të BE-së nuk ka asnjë garanci, sepse edhe në Mal të Zi situata e brendshme ka filluar që të ndezet me përplot tensionse, meqê opozita tash ka filluar që të rrebelohet dhe e ka shtuar presionin për zgjedhje të hershme parlamentare, për dy arsye.

E para, disa ligje të miratuara me rreptësi e pa reagime serioze e të prera nga qeveritë e BE, por vetëm të Komisionit Evropian të vetmuar në kritika të zbehta, përfshirë edhe për marrëveshjet me Emiratet e Bashkuara Arabe në turizëm dhe energji, po krijon hapësirë për qeverinë e Spajiçit për “solo” veprime, e në disa raste sipas opozitës dhe kryetarit të vendit, Jakov Milatovic, edhe në kundërshtim me kushtetutën e ligjet e vendit.

E dyta arsye e kërkesës së opozitës për zgjedhje të hershme, ka të bëjë me anketat e fundit, të cilat partinë e Spajiçit e bëjnë të tretën, e partinë kryesore opozitare Partia Demokrate e Socialistëve (DPS), partinë më të përkrahur tash për tash në vend dhe me trend rritjeje.

Në rrethana të reja që po krijohen e thellohen në Mal të Zi, BE-ja, institucionet e saj në Bruksel e vendet anëtare nuk mund të vazhdojnë që të mbyllin sytë më, sepse krejt BE-ja me këtë qasje të heshtur do të jetë kontribues indirekt i dëmtimit të cilësisë së reformave, e sidomos zbatimit të tyre në praktikë.

Kredibilieti i BE-së

Ndërsa BE-ja është gati të shpëtojë njëfarë besueshmërie e kredibiliteti në këto dy vende kandidate me ngutinë e 18 muajëve, dhe të ruajë simpatinë poashtu, ajo në të njëjtën kohë me mbyllje syri siç edhe bëri deri tash, po e dobëson besueshmërinë e thirrjeve të saj për nevojën e cilësisë së reformave në këto dy vende.

Do të ishte brutale të analizohej e kualifikohej më tej besueshmëria dhe kredibiliteti i BE-së në çështjet përtej rajonit të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht në çështjet globale në këtë moment, për shkak të dy arsyeve kryesore: BE nuk ka muskuj të përbashkët e të vetëm ushtarak, dhe nuk ka pavarësi energjetike.

Lëndët djegëse fosile dhe lëndët e para (xehet nëntokësore) janë çështje natyre, por të qenurit i ngadaltë në burimet e rinovueshme, të cilat po ashtu janë çështje natyre, nga të cilat jashtëzakonisht i ngadaltë me Hydrogjen përmes Elektrolizës ( me ujë) dhe askund në vendimarrje për Hydrogjen Natyror, është çështje zgjedhjeje, e jo më mundësish të vet BE-së.

Në këto rrethana, mashtrimi i vetes me bisedime të përshpejtuara me Shqipërinë dhe Malin e Zi është një ringjallje e maskuar e besueshmërisë së saj në rajonin aspirant.

Disa do të thoshin, më mirë diçka sesa asgjë. Do të pajtoheshim nëse është e shëndetshme, por nuk është.

Pasoja e reformave jo serioze, përkatësisht moszbatimi i tyre i sinqertë dhe i drejtë do të ketë pasoja më vonë në shëndetin e demokracinë së kërkuar nga vet BE ndaj vendeve kandidate.

Rasti i Hungarisë, vend anëtar, nën qeverisjen nga Viktor Orban është një shembull i rrëmbimit të shtetit nga pushteti dhe dëmtimit të demokracisë e sundimit të mirëfilltë të rendit e ligjit. / Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër