Shkup, 22 prill, Zhurnal.mk – Tingëllon paradoksale por u dëshmua me fakte që ajo që dikur përdorej për ironi sot është një vërtetë e hidhur, në universitetin më me nam në Maqedoni të Veriut qenka e mundur, të paktën deri më tash, të regjistrohesh për studimet magjistër e doktor shkence në degën e filozofisë edhe pa diplomë universiteti.
Për këtë skandal për herë të parë raportoi portali I lajmeve MKD.mk. Sipas gjetjeve të portalit, në të përfshiheshin dhjetëra studentë të regjistruar në studimet master dhe doktoraturë në Fakultetin Filozofik në kuadër të Universitetit Shën Kirili dhe Metodi.
Për fat të mirë, autoritetet përkatëse ndërhynë dhe ky fenomen u pezullua pas ndërhyrjes së inspektorëve, shkruan Zhurnal.mk
„Filozofat“ e Shën Kiril dhe Metodi
Studentët pa diploma universitare në Fakultetin Filozofik në Shkup në Universitetin Shën Kirlli dhe Metodi u regjistruan në studime master dhe më pas në studime doktorature. Kjo u zbulua nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe regjistrimet u anuluan.
Sipas gjetjeve të portalit, në të përfshiheshin dhjetëra studentë të regjistruar në studimet master dhe doktoraturë.
Regjistrimi në studimet master kushton rreth 2-3 mijë euro, dhe studimet e doktoraturës në Fakultetin e Filozofisë kushtojnë 5-6 mijë euro. Studentët tani po kërkojnë kthimin e parave të tyre, por nuk po marrin asnjë përgjigje nga zyra e dekanit.
Nga Ministria e Arsimit për këtë rast kanë thënë se pas një ankese Inspektorati Shtetëror i Arsimit kreu një inspektim të jashtëzakonshëm. U përcaktua se Fakulteti i Filozofisë kishte regjistruar studentë në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve (studimet master dhe doktoraturë) pa përmbushur kushtet e përcaktuara nga Ligji për Arsimin e Lartë.
Skandali në momentin e « reformave » në arsim të lartë
Skandali në universitetin më me nam në vend shpërthen pikërisht në momentet kur qeveria dhe rrethi akadamik po hartojnë propozim-ligjin për arsim të lartë, me të cilin thuhet se synohet përmirësimi i cilësisë në universitetet e vendit.
Por, derisa palët po pajtohen për sjellje të ligjeve, është pikërisht universiteti më me nam i cili tash përballet me aktivitete të paligjshme që janë në kundërthënie me veprimtarinë bazë dhe synimet e ndryshmeve në ligjin për arsim të lartë.
Të pranosh studentë në ciklin e dytë e të tretë pa përfunduar ciklin e parë është veprim skandaloz i kundërligjshëm dhe në dëm të cilësisë. Prandaj, nuk dihet në shërbim të kujt do të jenë ligjet derisa në terren zhvillohet veprimtari kundër atyre ligjeve. E kur ka situata të tilla ku nuk respektohen ligjet krijohet hapësirë për të dyshuar për tregti me gjithçka e për gjithçka.
Pra, në Universitetin e parë në vend për nga cilësia e për disa vite edhe pjesë e Listës së Shangait, Universiteti Kirill i Metodi na pasqyroi “cilësinë e dijes” ku nga shkolla e mesme mund të bëhesh magjistër e pastaj edhe doktor shkence, “pa humbur fare kohë” për studimet e ciklit të parë. Kjo është dëshmi se kjo dukuri edhe njëherë vërteton sistemin e deformuar arsimor në vend.
Kujtojmë që, ky fenomen është krizë e integritetit akademik pasi kështu universiteti kthehet nga një tempull i dijes në fabrikë titujsh, ku diploma nuk është më dëshmi e kompetencës por dekoratë pa përmbajtje.
Nëse nuk vendosen standarde të qarta dhe mekanizma kontrolli, RMV rrezikon të prodhojë breza të tërë “doktorësh” pa dije, duke e zhytur shoqërinë në një iluzion të dijes dhe për pasojë duke shkaktuar ngërç në secilën fushë. /Zhurnal.mk
