Në kuadrin e Reformës Territoriale, si një veprimtar i Shoqërisë Civile me formim në gjeografi dhe me eksperiencë të gjatë në këtë fushë, në këtë narrativë dua të shpreh mendimet e mia për këtë reformë të re shumë të rëndësishme dhe që në fokus kam Bashkinë Fushë-Arrëz, banor i së cilës jam prej mëse shtatë dekadash. Një bashki e vogël, por me resurse të mëdha natyrore e humane. Shpresoj se mendimet e mia, të konsultuara edhe me shumë kolegë, duhet të merren në konsideratë nga Komisioni Parlamentar i Reformës Territoriale.
Në vitin 2014, ish-rrethi i Pukës u nda në dy bashki, Pukë dhe Fushë-Arrëz, dhe mirë u bë. Një ndër arsyet ishte territori me sipërfaqe të madhe dhe reliev malorë. Aso kohe, njëri nga rrethet më të mëdha në Shqipëri. Dëgjojmë shpesh në media, në studio televizive kur diskutohet për Reformën e re Territoriale, shpesh lakohet Bashkia Fushë-Arrëz, duke u thënë se, “nuk plotëson kriteret, duhet selektuar, duhet fshirë nga harta, mund të bashkohet me këtë apo atë bashki etj.”!
Por sipas mendimit tim dhe të kolegëve të mi, kjo nuk duhet të ndodhë, sepse kjo bashki i përmbush kriteret e standardet në shërbim të qytetarëve, referuar autonomisë lokale dhe legjislacionit në fuqi.
Të shtjellojmë një nga një gjërat.
Një bashki e vogël duhet të ketë zonën urbane dhe zonën rurale. Këtë kërkesë Bashkia FushëArrëz e plotëson. Zona urbane, qyteti Fushë-Arrëz, me histori shekullore ku në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, u konsolidua si qendër industriale urbane, i etiketuar “qyteti i sharrëtarëve, i minatorëve, ndërtuesve” etj., e për rrjedhojë edhe sot ruan fizionominë, zonë urbane me vlera të mirëfillta kulturore, ekonomike, sociale e, me një shoqëri demokratike në zhvillim.
Çfarë shërbimesh ofron zona urbane për qytetarët në qytet dhe në fshatrat përreth saj? Në qytetin Fushë-Arrëz funksionojnë institucione publike dhe subjekte private. Konkretisht: shkolla 9-vjeçare, gjimnazi, kopshti dhe çerdhja e fëmijëve, Qendra Kulturore, Qendra Sociale, Qendra Shëndetësore me dy mjekë e disa infermierë (ekip i përkushtuar ndaj pacientëve), dy klinika stomatologjie, farmaci, nënstacione elektrike, Komisariati i Policisë, dy filiale të shërbimit bankar, Posta Shqiptare, dega Fushë-Arrëz, 2 operatorë celularë, e gjithë zona e mbuluar me internet. Ka sheshin, pedonalen, rrugë dytësore të asfaltuara. Funksionojnë mirë biznesi i vogël, me dyqan të ndryshme, biznesi i mesëm me bare, restorante, hotele me 3-4 yje, Ujësjellësi, Reparti Zjarrfikës me personel të specializuar etj.. Në afërsi të gjimnazit ngrihet madhështore kisha e “Shën Jozefit”, jo vetëm objekt kulti, por edhe bamirësie.
Në këto institucione publike edhe private janë të punësuar një numër i madh personash. Mbi 200 veta, banorë të qytetit Fushë-Arrëzit punojnë në objekte industriale në afërsi të qytetit, si fabrika e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz, miniera e bakrit Qafë–Bari, një minierë e re e bakrit në afërsi Micojt si dhe në fabrikat e Ujit. Në qytet dhe në Njësitë Administrative zhvillohen shumë aktivitete kulturore e artistike, ku veçohet Festivali Mbarëkombëtar i Instrumenteve të Vegjël Popullorë, i cili zhvillohet çdo vit. Sivjet do të jetë edicioni i 22-të, një veprimtari me vlerë të jashtëzakonshme, i cili përcjell ndër breza elementë të Trashëgimisë Kulturore mbarëkombëtare. Këto aktivitete ekonomike e social-kulturore që i listova më sipër e bëjnë qytetin Fushë-Arrëz një qendër urbane funksionale, ku ndërthuren shërbimet zonë urbane dhe rurale.
Trashëgimia kulturore është një element shumë i rëndësishëm për njësinë vendore. Në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz, në shekuj jetojnë në harmoni dy etnitete krahinore: komuniteti mirditor dhe komuniteti i shtatë bajrakëve, që kanë marrëdhënie shumë të mira, martesa/krushqi të ndërsjella, traditat, festat të integruara.
Në aspektin fetar janë dy besimet kryesore, katolik e mysliman, në harmoni e respekt të njëritjetrit. Funksionojnë një numër i madh objektesh kulti, si kisha edhe mijëvjeçare dhe xhami shekullore, ku besimtarët kryejnë shërbesat fetare.
Në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz ka objekte historike e kulturore, si kala, fortesa, kulla shekullore etj. Edhe në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz ka kaluar Rruga Antike Adriatik- Dardani, rruga e “Shtegtarëve të Kombit” Lisus–Nisus (Për bashkinë segmenti: Fushë – Arrëz Vilë– Kryezi – Qafë Mali – Vaspas…, një objekt historik-arkeologjik me vlera të mëdha kulturore e turistike.
Në Iballe, në vitit 1903, është hapur shkolla e parë shqipe, një ndër pesë shkollat e para shqipe në Shqipëri. Sot në fshatra ka shkollë fillore e 9- vjeçare. Historia, kryengritjet e përpjekjet për pavarësi, liri e demokraci të banorëve të këtyre anëve, janë të evidentuara në libra, në muze, në lapidarë e memoriale, objekte të vizitueshme për turistë, vendas e të huaj. Prioritet bashkia ka zhvillimin e turizmit, për rastin konkret, turizmi malor, agro-turizmin, eko-turizmin etj..
Relievi kodrinor e malor, me male të larta, me lugina e lëndina të bukura, me ballkone natyrore më horizont e shikueshmëri të jashtëzakonshme, burime ujore, lumenj e liqene, krojet me ujë të kristaltë, ujëvara, klima e freskët, ajri i pastër, gjelbërimi gjithëvjetor, frutat e pyllit (boronica, kërpudha, manaferra etj.), banorët e pyllit: (ariu, kaprolli, lepuri, ujku dhelpra etj.), dëbora (tetormars), të gjitha këto resurse natyrore janë një potencial i madh për zhvillimin e turizmit.
Bashkia, OJF-të, Shoqata Eko – Turizmi etj., hartojnë projekte, këshillojnë e motivojnë subjekte private e individë të apasionuar, që të investojnë në turizëm. “Dallëndyshet e para” janë. Funksionojnë shumë mirë disa bujtina turistike, si në Kryezi, Iballë, Tuç, Qebik, Dardhë etj..
Një zonë me vlera të mëdha turistike është vija breg-liqenore (“Brigjet”), të Njësive Administrative Blerim, Fierzë e Iballë. (Liqeni i Fierzës dhe Komani). Aset i rëndësishëm është edhe ish-kampusi i të burgosurve politikë në Qafë-Bari, me histori të dhimbshme, i cili vizitohet gjatë gjithë vitit nga vizitorë vendas e të huaj.
Dihet tashmë se në drejtimin dhe menaxhimin e gjithë veprimtarive komunitare, ekonomike, kulturore, sociale, si dhe shërbimeve, është kryetari i bashkisë dhe këshilli bashkiak të zgjedhur me votë nga populli, si dhe administrata. Për Bashkinë Fushë-Arrëz flasin fjalë të mira, se para pak muajsh për këtë bashki, nga një testim që u bë nga institucionet kompetente, u vlerësua me performancë të mirë dhe shumë mirë.
Realisht ka specialistë të mirë e me përvojë disavjeçare, si ekonomistë, arkitektë, inxhinierë, juristë, agronomë, veterinerë etj., të cilët janë në gjendje të hartojnë projekte zhvillimore. Në raste të veçanta, sidomos ato projekte që adresohen në Bashkimin Europian, bashkëpunojnë me bashkitë e binjakëzuara në Kosovë, në Itali etj., si dhe me specialistët e Qarkut apo Rajonit.
Në territor ka dhe risqe. Ja dy raste: Në dimër ka raste që bie borë shumë dhe bllokohen rrugët nacionale e rurale. Ekipi i bashkisë, me kryetarin në krye, i vihen në ballë punës, me forca pune e mjete borëpastruese për zhbllokimin e situatës, si në Qafë-Mali, Qafë-Bari, Qafë-Shari dhe bëjnë të mundur kalimin e automjeteve. Rasti i dytë janë zjarret në verë, në pyje. Edhe këtu ekipi i bashkisë, kryetari në krye, repartet zjarrfikëse, komuniteti, të gjithë së bashku, janë në front për shuarjen e zjarreve.
Është e qartë se qytetarët kanë nevojë për shërbime cilësore dhe në kohë. Kjo kërkesë kryhet mirë kur kryetari, këshilltarët e specialistët janë sa më afër qytetarit. Është fakt se për vetë terrenin, qendër, bashki-periferi janë në distancë të largët. P.sh. Fushë-Arrëz – Fierzë 80 km rrugë, ose FushëArrëz – Iballë – Berishë, 60-80 km. Banorëve të zonave të largëta ju duhet shumë kohë për të ardhur në bashki për një dokument apo hall familjar. Po të jetë më larg godina e Bashkisë?!
Menaxhimi i mbetjeve, mbledhja e taksave, rritja e të ardhurave janë përgjegjësi e bashkisë. Desha të sjell në vëmendje një detaj: Rentën minerare e merr pushteti qendror. Mirë do të ishte që një pjesë t’i kthehej bashkisë
Vërtet janë larguar shumë banorë, por obligimi i të gjithëve është që këtyre rreth 5000 banorëve që nuk janë pak, janë mjaftueshëm për ekzistencën e një bashkie, t’ju krijohen kushte e shërbime të mos lëvizin. Për mendimin tim ekzistenca e bashkisë me shërbime të mira, bën që banorët mos lëvizin, madje pritet kthimi i të larguarve për të ndërtuar jetën e tyre në vendlindje.
Kjo panoramë dinamike që paraqesim tregon qartë dhe bindshëm se bashkia Fushë-Arrëz është ekzistente dhe funksionale, me vizion e synime të qartë; rritja e të ardhurave, mirëqenie më të mirë për qytetarët. Ta shohim këtë realitet me synimin e mirë, që bashkia Fushë-Arrëz të mos selektohet, por të jetë në hartën e re territoriale.
Desha të shpreh mendimin tim për Rajonet, që mendoj të jenë tre në Shqipëri, që ndahen mbi bazën e dy lumenjve kryesorë Mati dhe Shkumbini. Rajoni Verior, Rajoni Qendror, Rajoni Jugor. Këta tri rajone ndajnë në mënyrë proporcionale me resurset natyrore. Secili rajon ka vijë bregdetare, ka sipërfaqe toke fushore, ka edhe zona malore. Në këtë nivel rajoni ushtrohen më mirë kompetencat, ndihmohen bashkë edhe në hartimin e projekteve për të thithur investime nga Bashkimi Europian.
