Shkup, 14 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, deklaroi se nuk pret zgjedhje parlamentare të parakohshme dhe se, sipas tij, ato nuk do të mbahen.
“Sipas mendimit tim, zgjedhje të parakohshme nuk duhet të ketë dhe jam i bindur se nuk do të ketë”, tha Gashi para gazetarëve.
Në lidhje me Kodin e ri Zgjedhor, ai vlerësoi se është mirë të miratohet pa marrë parasysh se kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme, por theksoi se grupi i punës që duhet të punojë për ndryshimet aktualisht është i bllokuar dhe nuk ka afat konkret për takim të ri.
Në koordinimin e sotëm në Kuvend është biseduar edhe për mungesën e ministrave në seancat për pyetje të deputetëve, për çka nga Qeveria është kërkuar ta shqyrtojë problemin dhe të mos përsëritet kjo praktikë.
Gashi paralajmëroi se për shkak të udhëtimit të kryeministrit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në fund të shtatorit, është e mundur që seanca e ardhshme për pyetje të deputetëve të riplanifikohet për një afat pas kthimit të tij nga Nju Jorku.
