Gruevski një këmbë në Hungari një në Maqedoni!

Nga B.M
1,006 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 prill, Zhurnal.mk – Pas tetë vitesh arratisje në Budapest kthimi i Nikola Gruevski sot është titulli kryesor i lajmeve jo vetëm brenda vendit, menjëherë një ditë pas zgjedhjeve të së dielës në Hungari.

Deklarata e kryeministrit të ardhshëm të Hungarisë, Peter Magyar, se vendi i tij nuk do të mbetet strehë për kriminelët ndërkombëtarë, e ka sjellë më afër se kurrë mundësinë e ekstradimit të ish‑kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Nga një azilant politik i mbrojtur nga Viktor Orban në vitin 2018, deri te dënimet e shumta në mungesë për korrupsion dhe shpërdorim detyre, figura e Gruevskit është bërë simbol i përplasjes mes politikës dhe drejtësisë. Sot, me një këmbë ende në Hungari dhe tjetrën tashmë të vendosur drejt Maqedonisë së Veriut, kthimi i tij duket më afër se kurrë, shkruan Zhurnal.mk.

Kronologjia e arratisjes dhe proceseve gjyqësore

Në nëntor të vitit 2018, pas konfirmimit të dënimit me 2 vite burg për rastin “Mercedes”, Nikola Gruevski ish‑kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe lider i VMRO‑DPMNE u arratis nga Shkupi. Ai kaloi përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë, duke mbërritur në Hungari më 20 nëntor, ku kërkoi azil politik. Qeveria e Viktor Orbanit atëkohë ia dha menjëherë këtë status, duke e mbrojtur nga ekstradimi.

Kërkesat për ekstradim 

Qeveria e asaj kohe e Maqedonisë së Veriut e dërgoi kërkesën e parë për ekstradim në dhjetor 2018. Hungaria e refuzoi, duke u justifikuar me statusin e azilantit politik. Ky qëndrim u përsërit edhe në vitet tjera, duke e bërë të pamundur kthimin e Gruevskit në vendlindje.

Proceset gjyqësore në mungesë

Ndërkohë, gjykatat e Shkupit vazhduan proceset kundër tij, sidomos pas marrjes së mandatit të deputetit. 

-​ Rasti “Mercedes” – 2 vite burg

-​ Rasti “Talir” – financim i paligjshëm i partisë.

-​ Rasti “Titanik” – manipulim zgjedhjesh. 

-​ Rasti “Trajektorja” – kontrata të dyshimta për autostrada.

-​ Rasti “Toka në Vodno” – pastrim parash dhe keqpërdorim pronash publike.

Në total, Gruevski u shpall fajtor për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash, duke marrë disa dënime me burg në mungesë.

Ndryshimet në Kodin Penal

Kuvendi miratoi ndryshime në Kodin Penal më 6 shtator 2023 që reduktonin afatet e parashkrimit dhe uljen e dënimeve për veprat korruptive. Si pasojë, një pjesë e rasteve ku Gruevski ishte i akuzuar u prekën, duke i shkurtuar dënimet ose duke i afruar drejt parashkrimit. Ky hap u kritikua si një “amnisti e fshehtë” për politikanët e korruptuar.

Fillimisht, Gruevski ishte i akuzuar dhe i dënuar në disa raste të tjera (si “Talir”, “Titanik”, “Trajektorja”, “Toka në Vodno”), me një total të kombinuar që arrinte mbi 25 vite burg.

Por si rezultat i ndryshimeve në Kodin Penal, shumë prej rasteve u parashkruan ose iu reduktuan dënimet. 

Gjykata e Apelit vendosi të ndalojë disa procese, si rasti “TNT”, duke e ulur ndjeshëm totalin e viteve që Gruevski duhej të vuante. 

Gjithashtu, rasti “Mercedes”  Gruevski u dënua me 2 vite burg për blerjen e një limuzine luksoze me fonde publike. 

Rasti “Dhuna në Komunën Qendër” Gjykata e dënoi me 1.5 vite burg për organizimin e dhunës ndaj këshilltarëve lokalë.

Pse sot po flasim për kthimin e Gruevskit në vend pas tetë viteve?

Kryeministri i ardhshëm i Hungarisë (i dalë nga zgjedhjet e 12 prillit 2026), Peter Magyar, deklaroi se qeveria e tij do të ekstradojë politikanët e huaj të arratisur, përfshirë ish‑kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski.

Magyar e tha këtë kur u pyet nga gazetarët për ish‑ministrin polak të drejtësisëZbigniew Ziobro dhe zëvendësin e tij Marcin Romanowski, të cilët u arratisën në Hungari pas akuzave për shpërdorim pushteti dhe veprimtari kriminale.

“Ata nuk duhet të blejnë asnjë mobilje në IKEA sepse nuk do të qëndrojnë gjatë. Hungaria nuk do të jetë azil për kriminelët ndërkombëtarë, dhe kjo nuk vlen vetëm për ta, por edhe për z. Nikola Gruevski, ish‑kryeministrin e Maqedonisësë Veriut, i cili është gjithashtu i dënuar,” tha Magyar më 13 prill 2026, një ditëpas fitores së thellë në Hungari.

Pra, Gruevski sot është me një këmbë në Hungari dhe tjetrën në Maqedoninë e Veriut dhe kjo natyrisht bëhet e qartë pas deklaratës të sipërpërmendur. 

Kthimi i tij eventual do të jetë një provë e madhe për institucionet e Maqedonisë së Veriut. 

Gruevski është një test i vërtetë për sundimin e ligjit dhe për aftësinë e shtetit që të mbyllë një plagë dhe të jepet shembull që herët a vonë ata që keqpërdorin detyrën do të vendosen para drejtësisë. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër