Këshilli Fiskal, deficiti i sistemit pensional arrin 5.2% të PBB-së

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 05 tetor, Zhurnal.mk – Këshilli Fiskal paralajmëron se sistemi pensional në Maqedoninë e Veriut po përballet me një deficit strukturor në rritje. Sipas analizave,  deficiti i sistemit pensional arrin 5.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, të cilat duhet të transferohen nga Buxheti i shtetit për të financuar sistemin pensional. Analizat tregojnë se deficiti i rritur në masë të madhe është nxitur nga dy aspekte, ku i pari është mënyra e indeksimit dhe rritja lineare e pensioneve. Nëse nuk ndërmerren reforma, deficiti mund të arrijë në 6.6% të PBB-së deri në vitin 2035–2037. Analizat tregojnë se gjendja aktuale është rezultat i një procesi që ka zgjatur më shumë se dy dekada. Ajo veçon tre faktorë kryesorë, siç janë: ulja e kontributeve, ndryshimet demografike dhe problemet në tregun e punës.

“Ne duhet të bëjmë analiza, hulumtime dhe studime, ndërsa në rekomandime duhet të jemi të kujdesshëm, sepse shohim se bëhet fjalë për efekte afatgjata, ndërsa zakonisht politikëbërësit shikojnë në afat të shkurtër.”, – deklaroi kryetari i Këshillit Fiskal të RMV-së, Abdylmenaf Bexheti.
“Situata aktuale nuk është krijuar dje, nuk është krijuar vitin e kaluar dhe nuk është rezultat i vetëm një vendimi të marrë në të kaluarën. Bëhet fjalë për një efekt kumulativ prej më shumë se dy dekadash dhe të paktën tre aspekte janë kyçe për këtë gjendje. I pari lidhet me legjislacionin. Shkalla e kontributeve gjatë dekadave të fundit është ulur nga 21.2% në vitin 2008, në 18% në vitin 2010, ndërsa deri në korrik ishte 18.8%, me masë të përkohshme aktualisht në 19.9% deri në dhjetor. Paralelisht me këtë trend të uljes së vazhdueshme të kontributeve në fond, kemi pasur edhe masa që nënkuptojnë rritje të pensioneve përtej harmonizimit ligjor, shpeshherë rritje ad-hoc, si dhe rritjet e fundit lineare, të cilat e rrisin në mënyrë të përhershme bazën e pensioneve më të larta.”, – theksoi drejtoresha ekzekutive e “Finance Think”, Bllagica Petreski.
Një tjetër tregues shqetësues është raporti mes të siguruarve dhe pensionistëve. Në vitin 2024, për një pensionist kishte vetëm 1.61 të siguruar, ndërsa projeksionet demografike tregojnë se ky raport do të vazhdojë të ulet. Petreski thekson se shkalla e kontributeve pensionale është ulur ndër vite, ndërsa njëkohësisht janë bërë rritje të pensioneve përtej harmonizimit ligjor, duke rritur në mënyrë të përhershme shpenzimet e fondit. Sipas ekspertëve, pa reforma të qëndrueshme, presioni mbi fondin pensional do të vazhdojë të rritet, ndërsa barra financiare mbi Buxhetin e shtetit do të bëhet edhe më e madhe.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër