Krmov: Për shkak të LSDM‑së u anulua koordinimi opozitar në Kuvend për Kodin Zgjedhor

Nga I.A
605 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 korrik, Zhurnal.mk – Është anuluar takimi koordinues i partive opozitare në Kuvend, i cili ishte paralajmëruar për sot dhe i iniciuar nga Levica, me qëllim harmonizimin e një qëndrimi të përbashkët për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Deputeti Borislav Krmov, në një deklaratë për MIA, tha se takimi është shtyrë për shkak të mungesës së një përfaqësuesi nga SDSM.

“Për një takim tjetër dhe nëse do të mbahej pa ndonjë përfaqësues të partive të tjera opozitare (qoftë SDSM apo dikush tjetër) – nuk mund të them. Nuk kemi diskutuar”, tha Krmov për MIA.

Partia politike Levica, përmes një njoftimi në profilin e tyre zyrtar në Facebook, reagoi ashpër ndaj këtij veprimi të Lidhjes Socialdemokrate.

“Parti që për vite me radhë çdo parim e ka shndërruar në monedhë pazari, sot përpiqet të mbajë leksione për opozitarizëm ndaj një partie parlamentare që ka iniciuar koordinimin e bllokut opozitar për një reformë thelbësore të Kodit Zgjedhor… SDSM me refuzimin e saj nuk e ndëshkon Levicën, por humbet mundësinë që opozita të veprojë e bashkuar dhe të sigurojë rregulla zgjedhore më të mira”, thuhet në njoftimin e Levicës.

Nga ana tjetër, deputeti i VMRO‑DPMNE‑së, Bojan Stojanoski, vlerëson se këto zhvillime janë sinjal i qartë për opstruksion të zgjidhjes ligjore, afati i së cilës në agjendën reformuese është deri më 15 korrik.

“Shohim reagime të kundërta nga opozita sot, megjithëse duhej të mbahej takimi për Kodin Zgjedhor. Këtu arrijmë në përfundimin se partitë opozitare nuk duan Kod të ri Zgjedhor, por duan bllokadë… tani shohim se kërkohen debate ekspertësh etj., dhe ne tregojmë se, me shumë gjasë, ekziston marrëveshje mes partive opozitare që ky ligj të mos miratohet”, tha Stojanoski.

Ai përsëriti qëndrimin se pushteti do të pranojë gjithçka për të cilën opozita do të dakordohet, me kusht që të përfshihet edhe votimi i diasporës. Sa i përket akuzave, SDSM edhe dje e ka sqaruar qartë qëndrimin e saj kundër pjesëmarrjes në këtë takim.

“SDSM tashmë i ka dhënë propozimet e veta të qarta dhe konkrete në Kuvend. Nuk ka nevojë për propozime të reja. Propozimet tona janë të qarta: garantojnë zgjedhje të ndershme dhe transparente dhe parandalojnë mundësinë e vjedhjes zgjedhore, veçanërisht të votave të diasporës. Çdo gjë tjetër është shfaqje”, theksuan nga SDSM, duke e vlerësuar takimin si lojë të pushtetit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër