Ministria e Shëndetësisë: Duhanpirja është faktori më i madh i rrezikut për kancerin e mushkërive, kontribuon ndjeshëm edhe në lloje të tjera të kancerit

Nga B.M
646 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 shkurt – Me rastin e 4 Shkurtit – Ditës botërore të luftës kundër kancerit, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik rikujtojnë se duhanpirja përfaqëson një faktor të rëndësishëm rreziku për sëmundjet malinje, veçanërisht për kancerin e mushkërive. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, shkaku kryesor i vdekshmërisë në vend gjatë viteve 2023 dhe 2024 janë neoplazitë malinje të bronkeve dhe mushkërive.
 
“Përdorimi i duhanit është shkaku kryesor i kancerit, i cili mund të parandalohet. Të dhënat statistikore tregojnë se numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga neoplazitë malinje të bronkeve dhe mushkërive në vitin 2024 është 860, ku numri i meshkujve është më i lartë krahasuar me atë të femrave. Heqja dorë nga duhanpirja e zgjat ndjeshëm jetëgjatësinë dhe përmirëson cilësinë e jetës. Pikërisht në Ditën Botërore të Luftës kundër Kancerit, apelojmë edhe një herë për rëndësinë e miratimit të ligjit të ri për mbrojtje nga duhani, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të të gjithë qytetarëve,”- shpjegoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Përveç përdorimit të duhanit, faktorë të tjerë rreziku për sëmundjet malinje janë edhe mbipesha, konsumimi i alkoolit, mungesa e aktivitetit fizik dhe ushqyerja jo e shëndetshme.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga neoplazitë malinje në vitin 2024 është 3.958, prej të cilëve 2.325 janë meshkuj dhe 1.633 femra. Në të njëjtin vit, numri i të vdekurve nga neoplazitë në moshë mbi 65 vjeç është pothuajse dyfish më i lartë krahasuar me ata deri në moshën 64 vjeç. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër