Bruksel, 4 shkurt – Sistemi EES do të fillojë të zbatohet plotësisht nga 10 prilli 2026 në kufijtë e jashtëm të 29 vendeve evropiane që e përdorin atë. Me këtë, për udhëtarët nga vendet jashtë BE-së do të përfundojë praktika e vulosjes manuale të pasaportave dhe do të nisë regjistrimi i detyrueshëm digjital me të dhëna biometrike, me qëllim zbulimin më të lehtë të tejkalimit të qëndrimit të lejuar dhe uljen e abuzimeve me identitetin dhe dokumentet.
Bëhet fjalë për një sistem të automatizuar hyrje-daljeje, i cili në çdo kalim të kufirit të jashtëm do të regjistrojë të dhënat nga dokumenti i udhëtimit, si dhe të dhëna biometrike – shenjat e gishtërinjve dhe fotografinë e fytyrës – së bashku me datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes. Në sistem regjistrohen edhe rastet e refuzimit të hyrjes, çka synon të krijojë një gjurmë më të qartë dhe të verifikueshme për lëvizjen e udhëtarëve brenda rregullit të qëndrimit afatshkurtër.
Ndryshimi më i dukshëm për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera jashtë BE-së do të jetë kontakti i parë me procedurat kufitare sipas modelit të ri. Në vend të vulës, do të ketë regjistrim në sistem, ndërsa në disa pika kufitare kjo do të bëhet përmes terminaleve vetëshërbyese ose në sportel, në varësi të infrastrukturës dhe organizimit të kontrollit. Në praktikë, regjistrimi i parë i të dhënave mund të nënkuptojë pritje më të gjatë, veçanërisht në periudhat me qarkullim të shtuar, ndërsa kalimet e mëvonshme pritet të jenë më të shpejta, pasi sistemi tashmë do t’i ketë të dhënat bazë.
Komisioni Evropian thekson se për sistemin EES nuk aplikohet paraprakisht, siç ndodh me vizat, por regjistrimi bëhet drejtpërdrejt në kufi. Si lehtësim, është paralajmëruar edhe mundësia e pararegistrimit vullnetar përmes aplikacionit mobil “Travel to Europe”, brenda 72 orëve para hyrjes ose daljes, aty ku kjo do të mbështetet nga shërbimet kufitare kombëtare, por edhe në këtë rast kontrolli përfundimtar mbetet në kufi.
Është e rëndësishme të mos ngatërrohet sistemi EES me ETIAS. EES është sistem për regjistrimin e kalimeve dhe qëndrimit, ndërsa ETIAS është një regjim i veçantë i autorizimit të udhëtimit që planifikohet të nisë më vonë. Prandaj, ndryshimi kryesor për pranverën është pikërisht zbatimi i plotë i sistemit EES dhe rutina e re në pikat kufitare.
