Pas “shqelmimit” të Balancuesit, ja rrugdalja që propozon Zhurnal-i nga ‘labirinthi” i krijuar!

nga I Z

Shkruan, Agjencia e Lajmeve Zhurnal .mk

Shkup, 14 tetor – Në gjuhën shqipe fjala Balancë (ang. Balance) përkthehet në Ekuilibër. Në Maqedoni (të Veriut) kjo fjalë është bërë kryefjalë sidomos muajve dhe ditëve të fundit, edhe pse ajo fillimisht në publik përdorej si «përfaqësim proporcional » në punësimet në sektorin publik të vendit.

Në vendin tonë, Balancuesi vitet e fundit u bë mekanizëm sinonim për përfaqësimin drejtë dhe adekuat, si një parim kushtetues. Të gjithë jemi bindur gjatë këtyre viteve, se prej kur ka filluar të aplikohet he implementohet ky parim, ka sjellë të mira në dobi të gjithë qytetarëve të vendit, fillimisht duke relaksuar raportet ndëretnike, e pastaj edhe në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin e avancimit të procesit euroatlantik, shkruan Zhurnal. Edhe skeptikët fillestarë, me kalimin e kohës janë bindur në të mirat e këtij parimi.

Ndërkohë kemi shofar që tregojnë se ende duhet reflektuar sa i përket përfaqësimit adekuat të shqiptarëve, turqve, romëve, serbëve, vllehëve e boshnjakëve në punësimin në sektorin publik, sektor ky i cili financohet edhe nga taksat e tyre.

Ndërkohë, vendi i cili synon që të anëtarësohet në Bashkim Evropian, në ligjet e tij e ka edhe dygjuhësinë edhe për institucionet e nivelit qendror, pra në administratën e sektorit publik të të gjitha kategorive.
Cili do të duhej të jetë kompensimi logjik ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, serbëve, vllehëve e boshnjakëve që mund të bëhet tash e tutje meqë u shqelmua Balancuesi? Në fakt ky nuk do të duhej të jetë kompensim apo dhuratë, por respektim i rreptë i ligjeve për dygjuhësi në proceset e përditshme të punësimit në administratën e sektorit publik, në “hisen” që u takon bashkësive joshumicë.

Shembull i mirë që mund të shfrytëzojmë është shembulli i kryeqendrës drejt të cilës kemi lëvizur dhe vazhdojmë të lëvizim – Shembulli i Brukselit. Sipas dispozitave pozitive në kryeqytetin e Belgjikës, NATO-s dhe BE-së, që është edhe njësi e posaçme në kuadër të federatës belge, atje punësimet në administratën federale dhe të qytetit bëhen sipas njohjes së gjuhëve. Respektivisht, përveç kritereve tjera profesionale, gjatë punësimit përparësi të madhe paraqet njohja e dy gjuhëve kryesore të Belgjikës, gjuhës frenge dhe flamane.

Maqedonia nuk është shtet federal sikurse Belgjika dhe ky kusht ndoshta nuk mund të ngritet në të njëjtin nivel sikurse në Bruksel. Mirëpo, duke pasur parasysh gatishmërinë e gjithanshme politike të shprehur për të ruajtur përfaqësimin adekuat si kategori kushtetuese, njohja e dy gjuhëve kryesore (maqedonishtes dhe shqipes), si kusht për punësim në 25 për qind të vendeve të punës në administratë shtetërore, do të ishte një “balancues” mjaft” adekuat në kohën kur Balancuesi i deritanishëm zyrtarisht është shfuqizuar, shkruan Zhurnal. Në përqindje proporcionale, i njëjti parim do të ishte mirë të vendosej edhe për gjuhët e bashkësive më të vogla etnike, që përmenden në Preambulën Kushtetutës. Ky do të ishte një mekanizëm i cili nuk mund të kufizohet nga “restriksionet” që ka vendosur Gjykata Kushtetuese, duke shfuqizuar përkatësinë etnike.

Gjithsesi partitë politike duhet të bëhen bashkë dhe ta rregullojnë më së miri që është e mundur këtë çështje, deri në detaje të hollësishme për të reduktuar në minimum mundësinë për keqpërdorime. Partitë duhet a përmirësojnë përshtypjen mjaft negative që krijuan në opinion pas shfuqizimit të Balancuesit, kur varësisht se kujt si i konvenon, distancoheshin nga qëndrime që paraprakisht i ka pranuar dhe shprehnin qëndrime që asnjëherë nuk i kanë inkorporuar. Interesi për të ruajtur përfaqësimin e drejtë dhe adekuat duhet të jetë mbi interesat partiake.

Kjo do të evitonte çdo lloj diskriminimi në baza etnike, por edhe do të ngushtonte mundësinë që të bëhen keqpërdorime si në kohën e Balancuesit, kur përkatësia etnike ndryshohej brenda natës, sa për të fituar një end pune.

Ose thënë ndryshe: Kur të gjithë kandidatët kanë të njëjtat kualifikime, të njëjtën përvojë pune, si kusht plotësues për vende të caktuara në proporcion me përqindjen e bashkësive etnike, të vendoset njohja e gjuhës së asaj bashkësie etnike.

Në këtë pyetje vështirë se përgjigja do të ishte në favor të maqedonasve. Me fjalë të tjera, kriteri i njohjes së dy gjuhëve zyrtare, aty ku e thonë ligjet, duhet që të jetë në krye të listës së projekt-ligjit për “përfaqësim të drejtë” për të cilin anëtarët e lartë të VLEN po flasin këtyre ditëve. Po nuk u fut në këtë ligj ky kriter për njohjen e dygjuhësisë, shifrat e përqindjes do të ngrihen këtu janë tash, ato pra të raportit 2022, dhe në një të ardhme të afërt për jo-maqedonasit do të zbresin gradualisht.

Nëse ky kriter do të jetë pjesë e rreptë e ligjit, dhe nëse po i njëjti do të parasheh ndëshkime ligjore për anëtarët e komisioneve, apo edhe administratën e institucionit përkatës që nuk e respektojnë të njëjtin kriter të dygjuhësisë së kandidatëve, atëherë edhe përfaqësimi adekuat do të mbetet në kuadër të përqindjeve ë regjistrimit, pa pasur rrezik që Ligji të bie ndesh me Kushtetutën.
Në një të ardhme, kur kandidatët nga të gjitha përkatësitë etnike do të zotëronin dygjuhësinë, gara për cilësi në punësim në sektorin publik, do të përmirësohej dukshëm. Me këtë, shfuqizimi i Balancuesit të rezulton si punë ‘hajri’ edhe nëse qëllimi fillestar ka qenë për sherr./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More