Shkup, 13 prill, Zhurnal.mk – Të dhënat më të fundit për vitin shkollor 2025/2026 tregojnë se në shkollat fillore ka një zvogëlim të nxënësve tëregjistruar prej 3,6 për qind krahasuar me një vit më parë, si rezultat i zvogëlimit të lindjeve, martesave të vonuara e largimit të familjeve jashtëvendit, shkruan zhurnal.
Çfarë thonë të dhënat e fundit ?
Të dhënat më të fundit për vitin shkollor 2025/2026 tregojnë se në shkollat fillore janë të regjistruar gjithsej 174.040 nxënës. Veçanërisht shqetësuese është situata me nxënësit e moshës më të vogël. Në klasën e parë janë regjistruar vetëm 17.921 fëmijë, një tregues se brezat e rinj po bëhen gjithnjë e më të paktë.
Ndërkohë, arsimi i mesëm shënon një rritje të lehtë prej 0,6 për qind, me gjithsej 67.540 nxënës. Por kjo rritje nuk duhet të krijojë iluzione për përmirësim, pasi ajo shpjegohet kryesisht me dallimet ndërmjet gjeneratave dhe jo me një trend të qëndrueshëm demografik. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për një efekt të përkohshëm, ndërsa baza e popullsisë së re vazhdon të tkurret.
Shkaktarët kryesorë
Natyrisht që shkaktari kryesor është ulja e lindjeve dhe martesat e vonuara. Statistikat tregojnë se çdo vit lindin më pak fëmijë, duke reflektuar një krizë të qartë demografike. Arsyet e këtij zvogëlimi lidhen me faktorë ekonomik, pasiguri sociale dhe ndryshime kulturore që e shtyjnë familjen e re të mos ketë më shumë se një fëmijë.
Shkaktar tjetër që e ndihmon këtë fenomen negativ është edhe migrimi masiv i shumë të rinjëve e familjeve për jetë më të mirë jashtë vendit. Largimi i familjeve të reja drejt vendeve të BE-së është një fenomen i vazhdueshëmdhe është ndër faktorët që e zvogëlon numrin e fëmijëve në vend, duke e dobësuar bazën e popullsisë aktive.
Dhe, natyrisht një shkak tjetër është se shkollat në zonat rurale po boshatisen më shpejt, ndërsa qytetet përballen me koncentrim të nxënësve. Ky disbalancë e bënë sistemin arsimor më të vështirë për t’u menaxhuar. Përshkak se çiftet e reja po vendosin të jetojnë në zona urbane dhe në mundësitë e para braktisin zonat rurale si vende ku mungojnë kushtet bazike elementare për jetesë.
Pasojat afatgjata
Shkolla të boshatisura janë pasoja ose dëmi kryesor që vjen nga ky ritëm negativ. Me 927 shkolla fillore dhe 128 të mesme, rënia e nxënësve rrezikon mbylljen ose bashkimin e institucioneve, duke sjellë humbje të identitetit lokal dhe ulje të qasjes në arsim. Kjo natyrisht që pastaj do të ulë edhe numrin e mësimdhënësve në shkolla dhe kështu rritet edhe niveli i papunësisë.
Nëse trendi aktual vazhdon, shumë shkolla mund të përballen me boshatisje, bashkime ose mbyllje.
Pasojat nuk përfundojnë me kaq pasi tkurrja e brezave të rinj nënkupton më pak fuqi punëtore në të ardhmen. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në produktivitetin kombëtar dhe në qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve. Rënia e lindjeve dhe emigrimi i të rinjve krijon një strukturë demografike ku të moshuarit dominojnë. Ky raport i pabalancuar sjell presion mbi shërbimet sociale dhe shëndetësore.
Rënia e nxënësve nuk është thjesht problem i shkollave, por sinjal se e ardhmja e vendit po zvogëlohet. Mësuesit, programet dhe investimet arsimore mund të humbasin kuptimin nëse baza e nxënësve vazhdon të tkurret.
Për të parandaluar pasojat afatgjata në arsim, ekonomi, dhe tregun e punës, institucionet përgjegjëse duhet të dëgjojnë e veprojnë ndaj këtij alarmi shqetësues para se të bëhet vonë. /Zhurnal.mk
