Shkup, 17 shkurt – Kosova, që nga 17 shkurti i vitit 2008, ka dëshmuar se është një shtet me ambicie të qarta për zhvillim demokratik dhe integrim euroatlantik. Çdo përvjetor i pavarësisë është një moment reflektimi mbi rrugëtimin shtetformues, por këtë vit atmosfera e festës është e ndërthurur me protesta dhe sigurisht që më e zymtë. Në vend të gëzimit të pastër, sheshet e Prishtinës mbushen me qytetarë që kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë, shkruan Zhurnal.
Simbolika e mungesës së shtetndërtuesve –
Pamjet e trishta të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në bankat e të akuzuarve bartin një simbolikë të fortë ata që dikur ishin figura kyçe të çlirimit dhe shtetndërtimit, sot janë të privuar nga liria. Për shumë qytetarë, kjo përbën një padrejtësi historike, sepse perceptohet se gjykimi i tyre nuk është thjesht ligjor, por edhe politik. Kjo ndjenjë e padrejtësisë ka mobilizuar mijëra njerëz që të protestojnë në emër të pavarësisë, por edhe të dinjitetit kombëtar.
Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve demokratike, por procesi i shtetndërtimit mbetet i brishtë. Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së shihet nga një pjesë e shoqërisë si pengesë për legjitimitetin e plotë të shtetit. Kjo e bën pavarësinë të duket si një projekt ende i papërfunduar, ku drejtësia ndërkombëtare dhe politika globale shpesh ndërthuren në mënyra që cenojnë sovranitetin.
Protesta si shprehje e demokracisë –
Protesta kundër kësaj gjykate ka pasur në shumë shtete të Evropës, Amerikë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, e natyrisht edhe në Kosovë pafund herë. Nga një këndvështrim tjetër, fakti që qytetarët mobilizohen për të kërkuar drejtësi është dëshmi e gjallë e demokracisë. Protesta paqësore është një mjet legjitim për të artikuluar pakënaqësitë dhe për të kërkuar transparencë. Në këtë kuptim, sheshi i Prishtinës edhe sot bëhet arenë ku festimi i pavarësisë bashkohet me kërkesën për drejtësi, duke e bërë këtë ditë një moment të fuqishëm politik dhe shoqëror.
Kujtojmë që, Kosova sot feston pavarësinë, por njëkohësisht proteston për drejtësi. Ky rast e bën 17 shkurtin jo vetëm një datë historike, por edhe një ditë reflektimi mbi rrugëtimin e shtetit dhe sfidat e tij. Pavarësia nuk është vetëm akt juridik, por proces i vazhdueshëm që kërkon drejtësi, dinjitet dhe përfaqësim të drejtë të historisë së saj. Protesta e qytetarëve është një kujtesë se liria nuk është e plotë pa drejtësi. /Zhurnal.mk
