VLEN: 306 projekte po ndryshojnë komunat shqiptare, investimet vazhdojnë në Tetovë, Zhelinë, Bogovinë dhe Dibër

Nga R.ZH
1,177 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 1 korrik, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN deklaron se përmes angazhimit të tij në Qeveri po realizohen 306 projekte zhvillimore në komunat shqiptare, duke theksuar se investimet publike tashmë po orientohen sipas nevojave të qytetarëve dhe jo, siç pretendojnë nga ky koalicion, sipas interesave partiake.

Sipas VLEN-it, për vite me radhë komunat shqiptare kanë mbetur në margjinat e investimeve, ndërsa projektet infrastrukturore janë zvarritur për shkak të qasjeve të mëparshme politike.

Koalicioni veçon katër investime infrastrukturore të promovuara ose të realizuara gjatë ditëve të fundit në komuna që udhëhiqen nga VLEN. Në Tetovë është promovuar rruga “Sami Frashëri”, në Komunën e Zhelinës është përfunduar rruga Dëbërcë–Çiflik pas më shumë se tri dekadash pritje, në Bogovinë kanë nisur punimet për rrugën Rakovec–Bogovinë, ndërsa në Dibër vazhdojnë investimet në rrugën “Fuad Dibra”.

Në reagimin e tij, VLEN vlerëson se këto projekte janë dëshmi se, sipas tyre, me bashkëpunim institucional dhe vullnet politik investimet nuk mbeten vetëm në letër, por realizohen në terren, duke përmirësuar infrastrukturën lokale dhe duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin ekonomik dhe jetën e qytetarëve.

Koalicioni gjithashtu thekson se synon të vendosë një standard të ri të qeverisjes, duke e vlerësuar punën përmes projekteve të realizuara dhe investimeve konkrete, në vend të premtimeve politike.

Sipas VLEN-it, zhvillimi i komunave duhet të bazohet në nevojat e qytetarëve dhe në realizimin e projekteve infrastrukturore, të cilat, siç thuhet në reagim, për një periudhë të gjatë kanë mbetur të bllokuara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër