VLEN bashkon pesë subjekte politike në një forcë të vetme “VLEN NJË”

Nga B.M
794 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 prill, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN ka njoftuar bashkimin e pesë subjekteve politike në një strukturë të vetme, duke e cilësuar këtë si një hap drejt konsolidimit të faktorit politik shqiptar dhe mbylljes së, siç thotë, “epokës së fragmentimit”.

Në një komunikatë për opinionin, VLEN thekson se bashkimi në një trup të vetëm politik vjen si përgjigje ndaj pakënaqësive ndaj modelit të deritanishëm politik, të cilin e cilëson si të konsumuar dhe të lidhur me interesa të ngushta.

“Pesë subjekte politike bëhen një. VLEN NJË!”, thuhet në komunikatë, ku shtohet se qëllimi është krijimi i një force të organizuar dhe të bashkuar që do të përfaqësojë më mirë interesat e shqiptarëve.

Nga VLEN theksojnë se bashkimi synon të sjellë një qasje të re politike, të bazuar në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur. Po ashtu, në komunikatë përmendet orientimi drejt integrimeve evropiane dhe partneritetit me NATO-n, si dhe mbrojtja e vlerave tradicionale dhe identitetit.

Koalicioni kritikon ashpër praktikën e deritanishme politike, duke akuzuar për keqpërdorim të pushtetit dhe manipulim të qytetarëve, ndërsa thekson se bashkimi i ri politik synon të sjellë ndryshim dhe përgjegjësi më të madhe në skenën politike.

“VLEN po vjen”, përfundon komunikata, duke e paraqitur këtë zhvillim si një moment të ri në organizimin politik të shqiptarëve në vend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër