Shkup, 18 shkurt – Më 17 shkurt, në ditën e pavarësisë së Kosovës, liderët e koalicionit VLEN u panë në Prishtinë duke ndjekur një agjendë të trefishtë festë, protestë dhe sipas gjasave, konsultim politik. Kjo prani e tyre ngre pyetjen thelbësore a ishte kjo vizitë vetëm simbolike apo edhe një përpjekje për të zgjidhur ngërçin e brendshëm që po e shoqëron koalicionin VLEN? shkruan Zhurnal.
Festë e protestë por edhe konsulta politike –
Pjesëmarrja në festimet e 17 shkurtit i vendos liderët e VLEN-it në një kornizë kombëtare, duke treguar se ata e shohin veten si pjesë të një projekti më të madh politik shqiptar. Protesta e paralelshme ishte një mesazh i qartë se VLEN nuk është thjesht një strukturë e brendshme në Maqedoninë e Veriut, por një aktor që kërkon legjitimitet dhe mbështetje edhe në Kosovë.
Por VLEN aktualisht po përballet me një krizë të brendshme e jo e lehtë pasi janë në proces të shkrirjes së katër subjekteve politike në një subjekt tëë vetëm.
Sipas asaj që është deklaruar deri në këto momente, Arben Fetai dhe Bekim Sali kërkojnë ndarjen e barabartë të koalicionit në katër pjesë, duke reflektuar një model konsensual. Nga ana tjetër, Kasami dhe Mexhiti duket se kanë një marrëveshje të fshehtë sipas informatave jozyrtare për ta udhëhequr VLEN-in me dy kryetarë, duke e përqendruar pushtetin tek ata.
Ky dallim i madh në vizionin e strukturës së udhëheqjes ka krijuar një krizë që rrezikon shkrirjen finale të koalicionit.
Roli i Albin Kurtit –
Kryeministri i Kosovës ka qenë promotor i fuqishëm i VLEN-it, duke e mbështetur si projekt politik që synon fuqizimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Vizita e liderëve në Prishtinë mund të ketë shërbyer si një rast për konsultime të drejtpërdrejta me Kurtin, për të gjetur një formulë kompromisi.
Pyetja që shtrohet është se a ka arritur Kurti të ndërmjetësojë një zgjidhje, apo kriza vazhdon të mbetet e hapur?
Nëse VLEN arrin të tejkalojë ngërçin, ai mund të shndërrohet në një faktor të konsoliduar politik, duke i dhënë shqiptarëve një zë më të fuqishëm në Maqedoninë e Veriut. Nëse jo, rreziku i fragmentimit është real, dhe kjo do të dobësonte jo vetëm koalicionin, por edhe projektin e mbështetur nga Kurti që mund të shpalllet i dështuar dhe kjo natyrish që pason me dëshpërim kolektiv të masës që i besuan këtij projekti.
Prandaj, prania e liderëve të VLEN-it në Prishtinë më 17 shkurt ngjanë që nuk ishte thjesht një akt festiv. Por ishte një shfaqje e dilemës së tyre të festojnë si pjesë e një kombi, të protestojnë për liri e drejtësi, por pse jo dhe të konsultohen si aktorë politikë në krizë. Nëse kjo vizitë do të shënojë fillimin e një kompromisi apo do të mbetet vetëm një ditë simbolike, do të shihet në javët e ardhshme. /Zhurnal.mk
