Deklarata e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Selmani: Problem interpretimi, jo kushtetuta

Nga Xh M
1,501 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 mars – Gjykata Kushtetuese nuk i ka komentuar reagimet e shumta dhe kërkesën për dorëheqje si pasojë e deklaratës së kryetarit të saj, Darko Kostadinovski, se njoftimet për gjoba të MPB-së për sistemin “Qyteti i Sigurt” nuk duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe.

Në pyetjen e TVM2 drejtuar kësaj gjykate, përgjigjja ishte e shkurtë, “Nuk do ta komentojmë rastin”.

Ndërkohë, profesori universitar Bashkim Selmani, ka shprehur qëndrimin e tij kritik ndaj mënyrës së interpretimit të Kushtetutës nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Profesori vlerëson se në këtë rast është krijuar konfuzion i panevojshëm, ku ligji dhe Kushtetuta janë të qarta, çdo interpretim politik vetëm sa e komplikon situatën dhe rrit tensionet në opinion.

Ai shton se relativizimi i përdorimit të gjuhës shqipe mund të krijojë shqetësime te qytetarët shqiptarë në vend. Këto komente vijnë në një kohë kur qëndrimi i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese kanë nxitur debat të gjerë në opinionin publik dhe në skenën politike në vend.

“Kushtetuta është e qartë, edhe ligji është i qartë, pra, çdo interpretim politik është vetëm përpjekje për të krijuar konfuzion atje ku nuk ka asnjë dilemë juridike. Pra, të drejtat gjuhësore nuk janë çështje interpretimi momental. Ato janë të garantuara me amendamentin 5 të Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe askush nuk ka të drejta ta relativizojë, siç e bën këtë çështje vet kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Kur Ligji është i qartë, problemi nuk është te Ligji, por problemi është tek interpretuesi që thjesht pamë një interpretim nacionalist, maqedonas me mbështetje antishqiptare dhe komuniste e përbetuar.” – tha profesori universitar, Bashkim Selmani.

Qëndrimi i Kostadinovskit është politik, jo juridik: Askush nuk mund ta relativizojë gjuhën shqipe

Sipas Selmanit, kjo tregon hakmarrjen ndaj shqiptarëve për problemin e gjuhës dhe identitetit që kanë maqedonasit me bullgarët. Fatkeqësisht Kushtetutën e marrin si sulm ndaj çdo gjuhe ose çdo gjë që është shqiptare.

“Në këtë moment unë besoj se shqiptarët duhet të mendojnë ndryshe, sepse duke filluar të gjitha institucionet që të njëjtën gjë ajo që ndodh identiteti dhe gjuhën maqedonase me bullgarët ata thjesht e bëjnë një hakmarrje drejtpërsëdrejti ndaj shqiptarëve në asnjë mënyrë nuk duhet të pajtohen dhe të trajtohen si e tillë nga individë të caktuar, që nacionalizimin e tyre personal ta ofendojnë dhe dëmtojnë dinjitetin e gjuhës dhe kombit shqiptar në RMV.” – u shpreh Selmani.

Ndaj deklaratës së Kostadinovskit se SMS porositë nga sistemi “Qyteti i Sigurt” duhet të jenë vetëm në maqedonisht dhe anglisht, pasi të gjithë qytetarët e vendit e kanë për obligim ta njohin gjuhën maqedonase, reaguan edhe partitë politike shqiptare.

Nga koalicioni VLEN mbajnë qëndrimin se kjo çështje është detyrim kushtetues dhe respektim i një të drejte themelore, të cilën VLEN-i do ta mbrojë me të gjitha mjetet juridike dhe institucionale.

Ndërkohë, nga partia më e madhe opozitare BDI, theksuan se kjo është si pasojë e drejtpërdrejtë e përfaqësimit të dobët të shqiptarëve në Qeveri.

“Kjo heshtje po interpretohet si leje për të sulmuar gjuhën shqipe, për të relativizuar barazinë dhe për të minuar themelet e shtetit multietnik,” thonë nga BDI.

Me reagime dolën edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës dhe ajo e Arben Taravarit, Lëvizja “Arbëria”, si dhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër