Shkup, 22 mars – Lufta kundër korrupsionit është një sfidë e madhe për kryeprokurorin e ri, pasi nga ai priten hetime të paanshme dhe veprime konkrete. Sipas ekspertit juridik Bashkim Selmani, lufta kundër korrupsionit fillon kur prokuroria dëshmon se askush nuk është mbi ligjin, as pushteti, as opozita dhe as funksionarët e lartë.
Ai thekson se drejtësia selektive është një nga format më të rrezikshme të padrejtësisë.
“Në një vend ku korrupsioni ka qenë një ndër shqetësimet kryesore e qytetarëve cdo kryeprokuror i ri përballet me një provë më të madhe, të tregoj se ligji është mbi politikën dhe mbi interesat e grupet e fuqishme. Cfarë mund dhe duhet të presim?!Hetime të paanshme. Lufta kundër korrupsionit fillon kur prokurora tregon që askush nuk është mbi ligjin, as pushteti as opozita as funksionarët e lartë. Drejtësia selektive është forma më e rezikshme e padrejtësisë”, deklaroi eksperti juridik Bashkim Selmani.
Selmani: Të konfiskohet pasuria e paligjshme
Qytetarët, sipas tij, presin hetime serioze për abuzimet me tenderët publikë, pasurimin e pajustifikuar të zyrtarëve dhe rrjetet e krimit ekonomik.
“Nga kryeprokurori i ri qytetarët nuk duhet të presin deklarata por rezultate konkrete, hetime serioze, aktakuza të forta, konfiskim të pasurisë të paligjshme sepse korrupsioni nuk është vetëm cështje juridike por edhe cështje e besimit të qytetarëve në shtet. Prokuroria duhet të përdor mekanizmat e hetimit financiar dhe të ndjek parimin ndiq para sepse korrupsioni nuk luftohet vetëm me dënime por edhe me konfiskimin e pasurisë të paligjshme. Transparencë dhe përgjegjësi ndaj publikut. Publiku ka të drejtë të dij nëse institucionet po veprojnë. Raportet e qarta risin besimin tek drejtësia. Guxim institucional duhet të ketë kryeprokurori. Publiku ka të drejtë të dij se institucionet veprojnë, raportet duhet të jenë të qarta dhe komunikimi institucional do të rris besimin tek drejtësia”, theksoi Selmani.
Tre ditë më parë deputetëtzgjodhën Nenad Saveskin për kryeprokuror të ri të shtetit.Saveski vjen në postin e kryeprokurorit nga Gjykata Penale e Shkupit, sektori për krim të organizuar.
Në krye të Prokurorisë paraprakisht ishte Ljupço Kocevski, i cili u zgjodh në vitin 2024, por u dorëhoq pasi u përball me kritika të shumta nga Qeveria për efikasitetin e ulët në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
