Editorial / Kamerat inteligjente në shkolla, ende pa afat të qartë!

Nga B.M
629 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 prill, Zhurnal.mk – Përderisa shkollat nëpër të gjithë botën ecin me kohën moderne dhe aplikojnë teknologjinë e avancuar, Maqedonia e Veriut fatkeqësisht ka mbetur shumë mbrapa në këtë drejtim. Sidomos përdorimi i kamerave me intelegjencë artificiale, rritja e sigurisë, por edhe zhvillimi i mësimit me metodat më të reja, është një dukuri në ngecje. Nëse bota ecën me hapa shumë të shpejtë në këtë drejtim, tek ne ende një e-mail lëshohet me kërcënim ndaj shkollës, dhe sistemi nuk është në gjendje të identifikojë se ku është problemi, shkruan “Zhurnal.mk”.

Dikur të gjithë nxënësit kishin kompjuterë!

Para 10-15 viteve të gjithë nxënësit në Maqedoninë e Veriut kishin kompjuterë, që ishte një risi në të gjithë rajonin. Edhe pse projekti dukej absurd në atë kohë dhe shumë profesorë e mësimdhënës e konsideronin si të tepruar, është fakt se ky projekt mundësoi që shumë nxënës të mësojnë veprimet elementare të kompjuterit.

Gjatë kohës së pandemisë, doli në pah nevoja se duhet avansim në përdorimin e teknologjisë. Atëbotë të gjithë nxënësit u detyruan të mësojnë online, edhe pse efekti nuk ishte i njëjtë me mësimin me prezencë fizike. Megjithatë ajo kohë nxorri në pah se shumë nxnënës, e ndoshta edhe më shumë profesorë dhe arsimtarët e tyre nuk ishin të përgatitur për t’u ballafaquar me sfidat e teknologjisë moderne. Prandaj, Ministria e arsimit dhe gjithë përgjegjësit për arsimin duhet të kuptojnë se përdorimi i teknologjisë nuk është prapambetje për nxënësit, por është nevojë e kohës, ku nxënësit duhet të përgatiten për sfidat e kohës së ardhshme, shkruan “Zhurnal.mk”.

Tiranë, 20 shkolla fillore pajisen me kamera intelegjente

Njëzet shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në Tiranë do të pajisen me kamera inteligjente dhe teknologji të avancuar, me qëllim rritjen e sigurisë në institucionet arsimore me një numër të madh nxënësish.

Ministria e Brendshme ka përzgjedhur shkollat që do të përfshihen në fazën e parë të projektit “Smart City”, ku do të ofrohet survejimi i institucioneve edukuese me inteligjencë artificiale.

Qëllimi i projektit synon forcimin e sigurisë publike dhe parandalimin e kriminalitetit përmes teknologjisë, pasi çdo ambient i brendshëm dhe i jashtëm i shkollës do të monitorohet nga këto kamera.

Përdorimi i teknologjisë më të fundit në institucionet arsimore përfshin jo vetëm kamera dhe detektorë, por edhe elementë të tjerë që përthithin sinjale të ndryshme, duke integruar këtu edhe inteligjencën artificiale, me qëllim përpunimin e informacionit dhe vënien e tij në shërbim të punonjësve të policisë për parandalimin e ngjarjeve të rënda dhe për ofrimin e një ambienti të sigurt në shkollat tona.

Policia me projekte të ndryshme synon të rritë sigurinë nëpër shkolla!

Policia e Maqedonisë së Veriut viziton çdo shkollë fillore dhe organizon prezentime për përmirësimin e sigurisë së përgjithshme dhe personale të nxënësve në institucionet arsimore. Me këto projekte synohet zvogëlimi i të gjitha formave të dhunës midis nxënësve dhe zbulimi i individëve dhe grupeve nga shkollat si shkelës të mundshëm të ligjit, si dhe ndërtimi i besimit midis nxënësve dhe policisë dhe zhvillimi i bashkëpunimit të ndërsjellë.

Nëpër këto punëtori, të cilat do zgjasin një orë shkollore, mbulohen tema si dhuna (koncepti, llojet e dhunës dhe pasojat), dhuna në garat sportive, dhuna përmes rrjeteve sociale, keqpërdorimi i mjeteve piroteknike, dhuna në familje, trafikimi i qenieve njerëzore, varësitë (alkooli, droga, bixhozi dhe internet), siguria në trafik etj.

Gjithashtu, autoritetet lokale duhet të sigurohen që çdo shkollë në territorin e tyre të ketë një plan reagimi ndaj emergjencave shkollore. Çdo shkollë duhet të ndërmarrë veprime për t’u siguruar që nxënësit e saj janë të sigurt.

Rritet çdo ditë e më shuma dhuna dhe ngacmimet mes nxënësve

Vendet më të zhvilluara po vendosin kamera mbikëqyrjeje në të gjitha shkollat e tyre. Nga hyrjet kryesore deri te korridoret e klasave, por edhe brenda klasave kamerat po bëhen po aq të zakonshme. Kjo rritje e përdorimit është nxitur kryesisht nga përpjekjet për të përmirësuar sigurinë, për të zvogëluar vandalizmin dhe për të parandaluar ngacmimin.

Sipas Qendrës Kombëtare për Statistikat e Arsimit në SHBA, vetëm në vitin shkollor 2021-2022, shkollat publike raportuan afërsisht 857,500 incidente të dhunshme dhe 479,500 incidente jo të dhunshme. Me shifra të tilla, nuk është çudi që edukatorët po i drejtohen teknologjisë për të ndihmuar në mbrojtjen e komuniteteve të tyre shkollore, dhe mbikëqyrja me video luan një rol qendror në këtë përpjekje.

Ndërsa, nga viti 2020 deri në vitin 2024 në Maqedoninë e Veriut u raportuan 508 raste të dhunës seksuale dhe ngacmimit ndaj fëmijëve, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Përderisa viktimat heshtin, të rriturit përreth tyre nuk e kuptojnë gjithmonë se diçka po ndodh. Parandalimi është çelësi kur fëmijët i dinë të drejtat e tyre dhe të rriturit dinë si të reagojnë dhe ku ta raportojnë.

Dhuna seksuale ndaj fëmijëve ndodh në shumë forma, por rrallë raportohet. Mjafton të analizohen videot e nxënësve të publikuara gjatë muajve të fundit ku rrihen midis tyre nxënës në Saraj dhe videoja tjetër që dhunohet seksualisht një vajzë e mitur nga një grup i djemve të shkollës fillore.

Pra në këto statistika përfshihen abuzimet seksuale, pornografia e fëmijëve, shfrytëzimi seksual, ngacmimin në internet etj. Në shumicën e rasteve, autori i krimit njihet nga fëmija dhe në disa raste ka fituar besim të madh tek fëmija, shkruan “Zhurnal.mk”.

Tek ne ende flasim për telefonat celularë dhe emailat kërcënues nëpër shkolla

Në Maqedoninë e Veriut komunat janë përgjegjëse për shkollat dhe ato mund të marrin vendim për ndalimin e telefonave celularë gjatë mësimit. Shumë prej prindërve kërkojnë mësim pa telefona në të gjitha shkollat, përfshirë shkollat e mesme.

Nga ana tjetër shumë shkolla marrin kërcënime të llojit se aty janë vendosur bomba, e që shpesh dalin alarme të rreme. Kjo ndodh nga hakerë të ndryshëm, ose nga nxënës që bëjnë shaka me shkollën. Mungesa e personelit të edukuar nëpër shkolla që do t’i detektonte këto anomali, shpeshherë shkakton panik dhe situatat dalin nga kontrolli.

Kërcënimet janë pjesë e sulmeve hibride që, megjithëse të rreme, kërkojnë një reagim serioz nga Ministria e Brendshme dhe një hetim të plotë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Roli i kamerave shkollore për rritjen e sigurisë

Kamerat e mbikëqyrjes në shkolla veprojnë si një linjë e heshtur mbrojtjeje. Ato dekurajojnë sjelljen e keqe dhe ofrojnë prova të rëndësishme kur gjërat shkojnë keq.

Shkollat nëpër shtetet e avansuara tani përdorin sisteme mbikëqyrjeje mundësuar nga inteligjenca artificiale (IA) të cilat mund të zbulojnë modelet e sjelljes që nuk përputhen me aktivitetin e pritur. Këto sisteme i ndihmojnë shkollat të veprojnë më shpejt kur dikush qëndron në një zonë të kufizuar ose kur ka një nxitim të papritur në një korridor.

Kamerat e sigurisë me rezolucion të lartë ofrojnë imazhe të qarta që mund të ndihmojnë në identifikimin e njerëzve ose veprimeve gjatë incidenteve. Qartësia e pamjeve filmike luan një rol të rëndësishëm kur hetohen raportet e ngacmimit, sjelljes së keqe ose shkeljes së pronës.

Ndërkohë, analizat inteligjente të videos ofrojnë një shtresë shtesë mbrojtjeje. Ato mund të zbulojnë lëvizje ose objekte që ngrenë alarmin, si një derë që hapet pas orarit të punës ose një individ i pashoqëruar që hyn në një hapësirë të kufizuar. Me alarme automatike, administratorët mund të ndërhyjnë përpara se një problem të përshkallëzohet.

Shkollat janë të ndjeshme ndaj kërcënimeve fizike, por ato janë gjithashtu objektiva të sulmeve kibernetike. Një sistem mbikëqyrjeje i lidhur është aq i sigurt sa rrjeti që qëndron pas tij, prandaj integrimi i praktikave të sigurisë kibernetike bëhet i paçmuar për sigurinë dhe Maqedonia e Veriut duhet urgjentisht të aplikojë teknologjinë më moderne me qëllim rritjen e sigurisë ndaj fëmijëve, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër