Shkup, 4 maj, Zhurnal.mk – Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut është shndërruar në institucion që po shkakton tensione ndër-etnike në vend. Edhe pse në vitin 2001 u ndryshua Kushtetuta e Maqedonisë, duket se gjykatësit që duhet ta mbrojnë këtë kushtetutë vazhdojnë me avazin e vjetër duke shkaktuar herë pas herë tensione politike, por sidomos mes shqiptarëve dhe maqedonasve në dëm të të drejtave të shqiptarëve. Prandaj mënyra e funksionimit të kësaj Gjykate duhet të ndryshohet, e sidomos duhet të ndërpritet majorizimi/mbivotimi i votave të gjykatësve maqedonas ndaj atyre shqiptarë dhe të etnive tjera, shkruan “Zhurnal.mk”.
Si funksionon Gjyata Kushtetuese!
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë gjyqtarë, prej tyre dy janë shqiptarë dhe një turk. Presidenti i Gjykatës zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve për një mandat prej tre vitesh, pa të drejtë rizgjedhjeje. Gjyqtarët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut për një mandat prej nëntë vitesh, pa të drejtë rizgjedhjeje. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga radhët e juristëve të shquar.
Sigurimi i pavarësisë së gjyqësorit kushtetues është kërkesa themelore që ngrihet kur zgjidhen çështjet në lidhje me përbërjen dhe mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila është një plotësim i domosdoshëm i pavarësisë parimore të gjyqësorit kushtetues nga parimet e organizimit të pushtetit.
Gjykata Kushtetuese i kryen detyrat brenda juridiksionit të saj në një seancë në përbërje të plotë dhe miraton vendime me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm dhe jo siç kërkojnë partitë shqiptare sipas parimit të votimit të dyfishtë, ose parimi i Badenterit.
Para se të vendosë në seanca të rregullta, Gjykata mund të mbajë seanca përgatitore dhe diskutime konsultative. Gjykata organizon seanca publike dëgjimore nëse e konsideron të nevojshme, përveç rasteve të vendosjes për një kërkesë për mbrojtjen e të drejtave individuale, kur vendimi merret si rregull në bazë të një seance publike dëgjimore. Për çështje që lidhen me organizimin e brendshëm dhe mënyrën e punës, Gjykata krijon komisione të përhershme dhe të përkohshme, shkruan “Zhurnal.mk”.
Gjykata Kushtetuese të vendos me parimin e “Badenterit”!
Kërkesa e të gjitha partive politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi ka qenë që Gjykata Kushtetuese të ketë një mekanizëm i cili nuk do të lejojë majorizimin e gjykatësve shqiptarëvë.
Thënë ndryshe, në këtë Gjykatë duhet të zbatohet parimi i Badenterit, i cili në çdo votim që ka të bëjë me të drejtat e bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut të vendoset me parimin e dyfishtë, që do të thotë të merret edhe pëlqimi i gjykatësve shqiptarë.
Kjo gjykatë kishte shkaktuar probleme edhe në vitin 2008, pasi Gjykata Kushtetuese kishte shfuqizuar disa nga dispozitat e ligjit për përdorimin e flamujve.
Atëbotë, Bashkimi Demokratik për Integrim e shpjegoi kërkesën për Parimin e Badenterit si nevojën për një mekanizëm që do të garantojë që vendimet e marra në Parlament ose në këshillat komunale nuk do të rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese. Por edhe pse ishin në pushtet për gati 20 vite, nuk arritën kurrë që ta ndryshojnë këtë proces të votimit.
Probleme të reja kjo Gjykatë shkaktoi vitin e kaluar kur e hoqi balancuesin, duke mos i përfillur gjykatësit shqiptarë.
Gjithashtu kjo gjykatë morri vendim se gjobat nga projekti “Qyteti i Sigurt” nuk duhet të dërgohen me mesazhe edhe në gjuhën shqip dhe se mbishkrimi në sallën e Gjykatës Kushtetuese duhet të mbetet vetëm në maqedonisht.
Gjithashtu me këtë vijimësi, Gjykata Kushtetuese ka hapur ligjin e gjuhës shqipe, por ende nuk ka marrë një vendim. Nëse me anë të majorimzimit (mbivotimit) nga ana a gjykatësve maqedonas, anulohet Ligji i Gjuhës shqipe, kjo do të ishte kulmi i tensioneve ndërtenike në Maqedoninë e Veriut, shkruan “Zhurnal.mk”.
Pala maqedonase kategorikisht kundër Badenterit në Gjykatën Kushtetuese!
Kryeministri Hristijan Mickoski deri më tani ka hedhur poshtë çdo kërkesë të tillë me arsyetimin se vendimet në Gjykatën Kushtetuese merren në bazë të ligjit dhe Kushtetutës dhe nuk kanë të bëjnë fare me çështjet etnike.
Edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski është shprehur kategorikisht kundër parimit të “Badenterit”, duke i komentuar këto kërkesa të shqiptarëve si të pabaza dhe të motivuara politikisht.
Nga kryetari Kostadinovski u tha gjithashtu se nëse Badenteri hyn në Gjykatën Kushtetuese, qytetarët mund ta harrojnë sundimin e ligjit dhe qeveria mund ta mbyllë derën e institucionit. Ai pranon se Badenteri është një mekanizëm i dobishëm, por vendi i tij nuk është në Gjykatën Kushtetuese.
Kostadinovski siguron se Gjykata Kushtetuese do të vendosë edhe për fatin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili sipas tij është aktualisht çështja më e vjetër në gjykatë. Por, pavarësisht se cili është vendimi, ai thotë se ata as nuk i japin dhe as nuk i heqin të drejtat askujt, por përkundrazi krijojnë hapësirë që qytetarët të marrin një zgjidhje ligjore me cilësi më të lartë.
Por, nga ana tjetër, të gjitha partitë shqiptarë kërkojnë që të vendoset parimi i Badenterit edhe në votimin e Gjyaktës Kushtetuese, si mekanizmi i vetëm mbrojtës për të mos majorizuar bashkësinë etnike shqiptare dhe bashkësitë tjera etnike. Kërkesa e shqiptarëve është e drejtë dhe në kornizën e frymës së Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk lejon që në një shtet multietnik shumica të vendosë pa pasur edhe pëlqimin e bashkësive tjera etnike.
Andaj, është e nevojshme që njëherë e përgjithmonë të gjendet një zgjidhje e tillë që nuk do të lejojë asnjëherë që një bashkësi etnike të vendosë në dëm dhe kurrizin e një bashkësie tjetër etnike, shkruan Zhurnal.mk.
