Shkup, 8 qershor, Zhurnal.mk – Gjatë vizitës në deponinë e Strugës, ambasadori i BE-së në Maqedoni, Mihalis Rokas, shprehu shqetësim serioz për gjendjen në terren dhe afërsinë e saj me shtëpitë, lumin Drini i Zi, ujësjellësin dhe Liqenin e Ohrit, raporton TRN, transmeton Zhurnal.
Rokas vlerësoi se problemi është i madh dhe nuk mund të pritet vetëm zgjidhja afatgjatë me sistemin rajonal të menaxhimit të mbeturinave në Novaci. Sipas tij, nevojiten masa urgjente për gjendjen aktuale, pasi deponia ndodhet në një lokacion që paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për mjedisin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Bashkimi Evropian mbështet trajtimin rajonal të mbetjeve të ngurta, por procesi ende nuk është përfunduar. Rokas paralajmëroi bisedime me institucionet kompetente dhe pushtetin lokal për të parë çfarë mund të ndërmerret ndërkohë, derisa të ndërtohet zgjidhja rajonale.
Kryetari i Strugës, Mendi Qyra, deklaroi se ekziston një trup koordinues për deponinë rajonale dhe se janë siguruar mjete për projektin në Novaci. Ai pret që së shpejti të shpallet tenderi për fabrikën që do të trajtojë mbeturinat.
Aktivisti ekologjik dhe avokati Gligorije Qatoski paralajmëroi se deponia vazhdon të rritet. Sipas vlerësimeve të tij, në vitin 2021 ajo ishte rreth 22 metra e lartë, ndërsa sot arrin rreth 30 metra mbi tokë. Ai konsideron se zgjidhja e qëndrueshme është zhvendosja e plotë e deponisë, rikultivimi i tokës dhe pyllëzimi i hapësirës.
Problemi me deponinë e Strugës prej vitesh është një nga pikat më serioze ekologjike në jugperëndim të vendit. Organizatat qytetare dhe aktivistët kanë kërkuar më parë përgjegjësi institucionale dhe mbrojtje gjyqësore, duke e lidhur rastin edhe me të drejtën për një mjedis të shëndetshëm.
Çështja merr peshë shtesë për shkak të statusit të rajonit të Ohrit si trashëgimi natyrore dhe kulturore botërore. Menaxhimi i mbeturinave dhe trajtimi i ujërave të ndotura tashmë janë theksuar si prioritete për Strugën dhe Ohri në kontekstin e ruajtjes së statusit të UNESCO-s.
