Kontrolle të reja në Shkup për shkak të dyshimeve për krim financiar në FFM

Nga I.A
1,459 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 qershor, Zhurnal.mk – Nën drejtimin e një prokurori publik nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PKK), Drejtoria e Policisë Financiare (PF) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) po zhvillojnë një aksion të koordinuar në disa lokacione në Shkup. Aksioni është rezultat i një procedure hetimore paraprake shumëvjeçare për Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM), e zhvilluar nga hetuesit e Qendrës Hetimore pranë PPK dhe PF, njoftoi Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar.

Më shumë informacione për rastin do të bëhen të ditura gjatë ditës, pas përfundimit të kontrolleve dhe procedurave që po ndërmerren.

Edhe pse nuk ka detaje zyrtare, jozyrtarisht këto aktivitete janë vazhdim i hetimit të hapur më 23 prill kundër ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muhamed Meti Sejdini, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Përvetësim në shërbim” sipas nenit 354, paragrafi 3 në lidhje me paragrafi 1 të Kodit Penal.

Pa e kërkuar kompania që duhej të ndërtonte stadiumin “Biljanini Izvori” me fondet e UEFA-s, pa miratim nga Bordi Drejtues i FFM-së, pa pasur mundësi ligjore dhe pa siguruar garanci juridike për mjetet, Sejdini i ka paguar kompanisë një avans prej mbi 660.000 euro nga fondet e dedikuara të UEFA-s.

Prokuroria thotë se i dyshuari, në periudhën nëntor-dhjetor 2024, si person zyrtar – president i FFM-së, ka përfituar kundërligjshëm një dobi pasurore prej rreth 660 mijë euro për një person juridik nga Shkupi, shumë që tejkalon dukshëm përfitimin e konsiderueshëm pasuror. FFM, si anëtare e UEFA-s, gjatë vitit 2024 ka marrë mjete financiare të dedikuara rreptësisht për revitalizimin e terreneve sportive dhe infrastrukturës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër