Wadephul: Rusia e sheh Detin Baltik si një zonë konflikti

Nga D. V.
727 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kiel, 19 qershor, Zhurnal.mk – Rusia po e konsideron gjithnjë e më shumë rajonin e Detit Baltik si një zonë konflikti, deklaroi sot ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul.

Duke folur në hapjen e Konferencës së Sigurisë në Kiel, Wadephul theksoi se Deti Baltik ka një rëndësi kyçe, për mbrojtjen e të gjithë aleancës së NATO-s.

“Ne të gjithë kemi kuptuar se Deti Baltik, është me rëndësi qendrore për mbrojtjen e të gjithë aleancës”, u shpreh ai.

Sipas tij, Deti Baltik shërben si një korridor strategjik, për përforcimet ushtarake dhe furnizimet, ndërsa Rusia është plotësisht e vetëdijshme për këtë rol.

Në konferencën e zhvilluar në Kiel, ku marrin pjesë vendimmarrës politikë, drejtues ushtarakë dhe ekspertë të sigurisë, ishte e pranishme edhe ministrja e Jashtme e Rumanisë, Oana Țoiu.

Wadephul renditi një sërë incidentesh që, sipas tij, kanë rritur shqetësimet në rajon, duke përfshirë akte sabotimi, aktivitete spiunazhi, ndërhyrje në sinjalet GPS, depërtime të dronëve dhe avionëve luftarakë në hapësirën ajrore të NATO-s, kalimin e të ashtuquajturës “flotë hije” të Rusisë, si dhe shfaqjen e përsëritur të anijeve kërkimore ruse, pranë infrastrukturës kritike.

Ai tha se këto rreziqe janë arsyeja pse po zhvillohet në rajon manovra detare e NATO-s “Operacionet Baltike” (BALTOPS), të cilën e cilësoi si një dëshmi të unitetit të aleancës.

Manovra, që organizohet për herë të 55-të, nën drejtimin e Marinës së SHBA-së, zhvillohet në një kohë kur, Uashingtoni po u kërkon vendeve evropiane të investojnë më shumë në sigurinë e tyre.

Megjithatë, Wadephul theksoi se kjo kërkesë nuk është e re. Sipas tij, SHBA-ja e ka paralajmëruar prej kohësh Evropën, të marrë seriozisht mbrojtjen dhe parandalimin ushtarak, por shumë vende evropiane nuk i kushtuan vëmendjen e duhur, këtyre thirrjeve.

“Koha ka ndryshuar”, tha ministri gjerman, duke shtuar se shumica e vendeve evropiane tashmë, po kryejnë investime të qëndrueshme, për forcimin e ushtrive të tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër