Shkup, 12 gusht, Zhurnal.mk – Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, 12 gushtin, ish-kryetari i Komunës së Strumicës, Kostadin Kostadinov, ka vënë në fokus rëndësinë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe rolin e gjeneratave të reja në ruajtjen e paqes dhe dialogut.
Duke folur si panelist në aktivitetet për shënimin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Kostadinov tha se përkujtimi i marrëveshjes nuk duhet të jetë vetëm çështje krenarie, por edhe një obligim për të rinjtë dhe gjeneratat e ardhshme.
“Është mirë që më 12 gusht, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, të flasim edhe për Marrëveshjen e Ohrit. Nuk është vetëm krenari të flasim për një dokument të tillë, por për të rinjtë është edhe obligim – një përkujtim se çfarë nuk duhet të harrojmë të bëjmë”, tha Kostadinov.
Ai theksoi se problemet dhe dallimet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe debatit, e jo përmes konfliktit.
“Shumë më lehtë është t’i zgjidhim punët me dialog dhe debat, sesa të shihemi në poligon”, u shpreh ai.
Kostadinov tha se pret që gjeneratat e reja të politikanëve ta shohin paqen jo si një rezultat të përkohshëm të një marrëveshjeje, por si një të drejtë themelore.
“Shpresoj që gjenerata e politikanëve të rinj qetësinë të mos e shohë nën ndonjë kornizë, por si të drejtë themelore të njeriut”, deklaroi Kostadinov.
Kostadin Kostadinov ka qenë kryetar i Komunës së Strumicës dhe është përmendur edhe si një nga kryetarët më të rinj të komunave në Evropë.
