Tiranë, 19 gusht, Zhurnal.mk – Prefektura e qarkut Shkodër informoi sot se vijon misioni nga toka dhe ajri për shuarjen e zjarrit në pyjet e Malit të Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit, bashkia Pukë.
Sipas Prefekturës, situata në malin e Tërbunit paraqitet aktualisht më e qetë dhe nën kontroll.
Në zonën Gjegjan–Gojan vijon të jetë më dinamike, për shkak të përhapjes së zjarrit, e favorizuar nga temperaturat e larta dhe era.
Në terren janë angazhuar dy mjete zjarrfikëse të Bashkive Pukë dhe Fushë-Arrëz, efektivë të MZSH Pukë dhe Fushë-Arrëz, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, punonjës të administratës, banorë dhe vullnetarë të zonës.
Ndërhyrja po mbështetet nga ajri me dy helikopterë, të cilët po operojnë në zonat ku terreni i vështirë kufizon ndërhyrjen nga toka. Aktualisht nuk raportohet afërsi kritike me banesat.
Prefektura e qarkut Shkodër vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin e të gjitha strukturave dhe kapaciteteve të angazhuara në terren për mbrojtjen e jetës dhe banesave të qytetarëve deri ne normalizimin e situatës.
