35-vjetori i rihapjes së Kryegjyshatës, Baba Mondi: Histori ringritjeje, përkushtimi dhe besimi

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 7 shtator, Zhurnal.mk – Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba Mondi gjatë konferencës ndërkombëtare jubilare kushtuar 35-vjetorit të rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashian  theksoi se “kjo ditë nuk është vetëm një ditë historike, por një dëshmi e gjallë e një udhëtimi të gjatë të ringritjes, përkushtimit dhe besimit”.

Konferenca jubilare shënon njëkohësisht edhe përkujtimin e tre momenteve të rëndësishme për historinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane: 35-vjetorin e rihapjes së saj, 15-vjetorin e drejtimit nga Haxhi Dede Baba Mondi dhe 11-vjetorin e inaugurimit të kompleksit kulturor Odeon.

Në fjalën e tij, Baba Mondi tha se “kujtojmë 35-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Kjo është një ceremoni e shenjtë dhe një ditë e veçantë për ne bektashinjtë, të cilët po mbajmë gjallë dritën e Haxhi Bektashit, dritën e të parëve tanë, të cilët janë munduar të na udhëheqin me dashuri, paqe e mirësi”.

“Përmes kumtesave, dëshmive dhe fjalëve të sjella gjatë tre sesioneve të konferencës, do të evidentojmë historinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, një institucion që ka ditur të ruajë dinjitetin e tij shpirtëror, në mbrojtje të trashëgimisë së tij dhe në kontribut të jetës kulturore e shoqërore të Shqipërisë”, u shpreh Baba Mondi.

Ai shprehu mirënjohjen për të gjithë pjesëmarrësit në këtë përvjetor, duke veçuar bashkëpunimin me komunitetet bektashiane dhe përfaqësuesit nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, SHBA-ja dhe diaspora.

“Bashkëpunimi ynë ka qenë i shkëlqyer. Kemi munduar që, me gjithë vështirësitë që kemi pasur në këtë periudhë, të ngremë Kryegjyshatën Botërore Bektashiane”, tha ai.

Duke iu referuar rihapjes së Kryegjyshatës më 22 mars 1991, Baba Mondi vlerësoi kontributin e Haxhi Dede Reshat Bardhit, i cili udhëhoqi procesin e ringritjes së institucionit pas dekadave të ndalimit të veprimtarisë fetare.

Në fjalën e tij, Baba Mondi u ndal edhe te parimet e bektashizmit, duke e cilësuar atë si një tarikat mistik të fesë islame që respekton çdo njeri, pa dallim feje, krahine, ideje, ngjyre apo race.

“Ky 35-vjetor tregon se kemi bashkëpunim edhe me disa komunitete fetare, me të cilët bashkërisht përpiqemi të përballojmë vështirësitë e kësaj bote të përkohshme”, tha ai.

Sipas Baba Mondit, në një botë që po përballet me sfida të shumta, misioni i komuniteteve fetare është të përcjellin mesazhe dashurie, paqeje, afrimi dhe mirëkuptimi mes njerëzve.

“Punët tona janë të vështira, sepse janë punë njerëzish që duan dashuri, paqe, afrim me njëri-tjetrin, familjet tona të jenë të shëndosha dhe brezi ynë i ri të rritet me dashuri, me mirësi, me dituri dhe gjithçka të mirë që i takon njeriut”, u shpreh ai.

Baba Mondi vlerësoi gjithashtu rolin e komuniteteve fetare në mbrojtjen e familjes dhe të rinisë shqiptare, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në funksion të shoqërisë.

“Ne mundohemi të japim mesazhe të mirësisë, të dashurisë, të bujarisë, pra t’u gjendemi njerëzve gjithmonë në nevojë. Ky është një mision që ne po mundohemi ta kryejmë me sukses, të gjithë dervishë e baballarë, por edhe vëllezërit e mi të besimeve të tjera, duke bashkëpunuar si një trup i vetëm”, tha Baba Mondi.

Baba Mondi falënderoi gjithashtu ambasadorët, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, besimtarët dhe diasporën për pjesëmarrjen në këtë përvjetor, duke përcjellë një mesazh për më shumë dashuri, vëllazëri dhe respekt mes njerëzve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër