Tiranë, 8 shtator, Zhurnal.mk – Investimet në infrastrukturën energjetike të bashkisë Shkodër dhe forcimi i rrjetit elektrik në zonat me potencial turistik ishin në fokus të një takimi mes kryetarit të bashkisë Benet Beci dhe administratorit të OSHEE Group, Mentor Hima.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beci bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua edhe për ndërtimin e një stacioni modern me 10 pika për karikimin e shpejtë të automjeteve elektrike.
Sipas tij, bashkia Shkodër do të mbështesë projektin edhe për gjetjen e një hapësire të përshtatshme për ndërtimin e stacionit.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte fuqizimi i rrjetit elektrik në qytetin e Shkodrës dhe në zonat me potencial të lartë turistik, veçanërisht në hapësirat e përfshira në paketën Porta e Alpeve.
Këto investime, sipas Becit, synojnë t’i përgjigjen nevojave të krijuara nga zhvillimi i zonave turistike dhe investimet e reja, duke garantuar një infrastrukturë energjetike më të fuqishme dhe të qëndrueshme.
“Shkodra ecën drejt një infrastrukture moderne, me energji të qëndrueshme dhe shërbime më cilësore për qytetarët dhe vizitorët”, u shpreh Beci.
