Shkup, 8 shtator, Zhurnal.mk – Rezultatet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve, i njohur si PISA, tregojnë se nxënësit 15- vjeçare në vend vazhdojnë të jenë nën mesataren e vendeve të zhvilluara në 3 fushat kryesore, matematike, lexim dhe shkencë. Në matematikë, nxënësit nga Maqedonia e Veriut kanë arritur 369 pikë ndërsa në lexim 342 pikë. Në shkencë, e cila ishte edhe fusha kryesore e vlerësimit në këtë cikël të PISA-s, rezultati mesatar është 378 pikë. Vetëm 32 për qind e nxënësve në Maqedoninë e Veriut kanë arritur nivelin bazë të njohurive në matematikë, ndërsa në lexim këtë nivel e kanë arritur vetëm 26 për qind e nxënësve. Në shkencë niveli minimal i kompetencës është arritur nga rreth 36 për qind e nxënësve.
Të dhënat e PISA-s për vitin 2025 tregojnë një rënie drastike të rezultateve në lexim dhe matematikë në të gjithë botën.
Gjashtë vendet e para në renditjen e leximit i zënë vendet aziatike si Singapori, Japonia, Korea e Jugut dhe Tajvani. Gjermania është pak mbi mesataren, në vendin e 23-të. SHBA-të janë në vendin e 13-të, Polonia në vendin e 14-të dhe Turqia në vendin e 16-të. Në matematikë, Gjermania është nën mesataren, në vendin e 26-të, vetëm një vend mbi SHBA-në. Te 7 vendet e para janë të zëna nga vendet aziatike, me Estoninë në vendin e 8. Në shkencat natyrore, Gjermania është vetëm 2 pikë mbi mesataren dhe renditet e 23-ta, Turqia ka bërë përparim të konsiderueshëm në këtë fushë dhe tani renditet e 19-ta, një rritje prej 18 pikësh krahasuar me studimin e vitit 2022.
Kjo do të thotë që në fushën e “shkencës” nxënësit kanë probleme në interpretimin e të dhënave të thjeshta ose në deshifrimin e grafikëve. Për sa i përket “leximit”, kjo do të thotë që ata kanë vështirësi në nxjerrjen e informacionit nga tekste të thjeshta. Në fushën e “matematikës”, ata nuk janë në gjendje të kuptojnë marrëdhënien midis njësive dhe çmimit, pra aftësitë themelore të nevojshme për blerjen e ushqimeve.
Si faktor i kësaj rënie, autorët e studimit supozojnë se është mbyllja e shkollave nga virusi COVID-19. Gjithashtu edhe inteligjenca artificiale ka pasur një ndikim si shpërqendrim dixhital te nxënësit dhe një mungesë interesi në rritje për të lexuar libra.
I kryer për herë të parë në vitin 2000, PISA konsiderohet si masa më me ndikim e performancës arsimore në botë.
