Do të angazhohen mediatorë romë, 50 në shkollat fillore dhe 35 në ato të mesme

Nga Xh M
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 shtator Zhurnal.mk – Deri më 7 tetor janë të hapura thirrjet publike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për angazhimin e mediatorëve romë të arsimit, të cilët do të ofrojnë mbështetje për arsimimin e fëmijëve romë nga familje në gjendje të rëndë sociale ose të atyre që për një periudhë më të gjatë kanë qenë jashtë sistemit arsimor.

Përmes thirrjeve kërkohet angazhimi i 50 mediatorëve në shkollat fillore dhe 35 në shkollat e mesme, të cilët do të ofrojnë mbështetje për nxënësit romë gjatë këtij viti shkollor.

Nga MASH sqarojnë se roli i mediatorit arsimor është të ndihmojë dhe të ndërmarrë aktivitete për përmirësimin e informimit lidhur me mundësitë dhe qasjen në shkolla. Mediatorët do të zhvillojnë takime të rregullta për sensibilizimin e komunitetit dhe të punonjësve të shkollave lidhur me specifikat dhe nevojat e grupeve të cenueshme në fushën e arsimit.

Gjithashtu, ata do të bashkëpunojnë rregullisht me bashkëpunëtorët profesionalë dhe mësimdhënësit për përmirësimin e rezultateve të nxënësve dhe do të ndërmarrin aktivitete për uljen e braktisjes së procesit edukativo-arsimor.

Mediatorët arsimorë në shkollat fillore do të angazhohen në komunat Shuto Orizar, Karposh, Gjorçe Petrov, Çair, Qendër, Kisella Vodë, Aerodrom, Gazi Babë, Butel, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Manastir, Prilep, Kumanovë, Shtip, Koçan, Vinicë, Dellçevë, Berovë, Veles/Gradsko, Kavadar, Kriva Pallankë, Ohër, Negotinë, Ilinden dhe Radovish.

Përkohësisht do të angazhohen edhe 35 mediatorë arsimorë në shkollat e mesme në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Manastir, Prilep, Kumanovë, Shtip, Koçan, Vinicë, Dellçevë, Berovë, Ohër, Strugë, Veles, Negotinë dhe Kavadar.

Kandidatët duhet të jenë të papunë ose të punësuar me kohë të pjesshme, të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe pjesëtarë të komunitetit etnik rom.

Për angazhimin e tyre, mediatorët do të marrin honorar mujor prej 20.000 denarësh, për një periudhë prej maksimumi dy muajsh gjatë vitit 2026 dhe tetë muajsh gjatë vitit 2027.

Në thirrjet publike të MASH janë përcaktuar detyrat dhe përgjegjësitë që do t’i kenë mediatorët romë të arsimit, kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, si dhe informacionet për mënyrën e aplikimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër