Shkup, 7 nëntor Zhurnal.mk – Rasti i fundit i femicidit në Bogdanci, ku u vra 17-vjeçarja Biljana Kiriq, ka rikthyer në vëmendje gjendjen shqetësuese të dhunës me bazë gjinore në Maqedoninë e Veriut. Për të dielën është paralajmëruar protestë në Shkup, ndërsa ekspertët kërkojnë ndryshime urgjente në mënyrën e veprimit të institucioneve dhe mbrojtje më efikase për viktimat.
Pas tragjedisë në Bogdanci, numri i viktimave të femicidit në vend gjatë këtij viti ka arritur në shtatë. Ekspertët paralajmërojnë se situata është alarmante dhe se nevojiten ndryshime urgjente, veçanërisht në reagimin institucional.
Avokatja Neda Çallovska-Dimovska, në një deklaratë për Televizionin e Maqedonisë, thekson rëndësinë e vlerësimit adekuat të rrezikut me të cilin përballen viktimat dhe përcaktimit të masave përkatëse mbrojtëse.
Masa urgjente për uljen dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe femicidit kërkon edhe Komisioni Evropian. Në raportin e fundit, për herë të parë theksohet se gjendja aktuale në këtë fushë paraqet shkelje serioze të të drejtave themelore të njeriut në Maqedoninë e Veriut.
Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë se nga fillimi i vitit deri në shtator janë regjistruar 1.337 vepra penale që lidhen me dhunën në familje. Nga gjithsej 1.388 kryerës të raportuar, 1.278 janë burra dhe 110 gra.
Përveç veprave penale, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar edhe afro 4.000 ankesa për dhunë në familje.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme u bëjnë thirrje viktimave, por edhe të gjithë personave që kanë informacione për raste të dhunës në familje, që t’i denoncojnë ato pa përjashtim dhe të mos heshtin përballë dhunës.
