Tetova humb 750 mijë euro në muaj nga uji i pafaturuar

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 15 nëntor Zhurnal.mk – Edhe pse qyteti i Tetovës në vit harxhon diku rreth 14 milion metër kub ujë në vit, Ndërmarrja Publike Komunale për menaxhim me ujin “Sharri”, arrin të faturojë vetëm pesë milion metër kub ujë. Shkak për këtë është sistemi i vjetërsuar i ujit në qytet por edhe mungesa e ujëmatësve. Për pasojë, Ndërmarrja “Sharri”, në muaj humb diku rreth 750.000 euro. Kësaj humbjeje, i ndihmon shumë edhe sistemi i vjetërruar dhe defektet e shumta që shkaktohen në të.

“Diku rreth tetë milion metër kub ujë i kemi humbje që ne nuk mund ti faturojmë. Pra nëse brenda muajit ne faturojmë 250.000 euro, ne duhet të faturojmë një milion euro ujë brenda muajit. Pra 750 000 euro i kemi humbje shkaku se nuk mund ta masim ujin saktë. Gjatë vjeshtës kemi edhe defekte shumë, pra vetëm gjatë tre muajve të vjeshtës pra shtator, tetor dhe nëntor kemi sanuar rreth 200 defekte që na janë paraqitur në qytet dhe ato shfaqen shkaku i rrjetit të vjetruar më shumë se dyzet vite. Me montimin e ujëmatësve nuk do ketë më keqpërdorime, por do i detektojmë më shpejt defektet që kemi në qytet”/ deklaroi Valon Zeqiri. Drejtor i NPK “Sharri”

Përveç problemit me humbjen e ujit, një problem ende më i madh është tek rrjeti shpërndarës i cili bëhet përmes gypave të asbestit, e që janë tejet të dëmshëm për shëndetin e njeriut.

“Fillimisht, mendoj se duhet të realizohet një kadastër nëntokësore e plotë e rrjetit të ujësjellësit, ku do të evidentohen dhe vizatohen të gjitha segmentet e rrjetit, duke përfshirë parametrat teknikë, diametrin, materialin dhe gjendjen e gypave, si dhe pozicionet e ventileve dhe elementeve të tjera të sistemit. Pas këtij evidentimi, duhet të identifikohen të gjitha segmentet me gypa të azbest-çimentos, të përcaktohen gjatësitë e tyre dhe të përgatitet një analizë e detajuar tekniko-financiare për kostot e zëvendësimit” deklaroi Visar Palloshi. Inxhinier

Ndërmarrja publike, humbjet e ujit por edhe defektet e shumta, në pamundësi për ta ndërruar gjithë rrjetin e qytetit, tenton që t`i kontrollojë përmes vënies së ujëmatësve, dhe pasjen kontroll mbi keqpërdorimin e ujit. Së shpejti kjo ndërmarrje pritet të hap edhe tender për furnizime shtesë me ujëmatës, me qëllim përfshirjen e pjesës më të madhe të qytetit por edhe futjen e harxhuesve më të mëdhenj në kontroll, siç janë kompanitë e mëdha fermat dhe lavazhet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër