Vlen i kundërpërgjigjet BDI-së: Alta Banka e Beogradit? Nuk është kopil, baballarët politikë i ka te BDI-ja

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 nënstor, Zhurnal.mk – Pas akuzave të BDI-së, kundërpërgjigjet VLENi.

Në vijim transmeton komunikatën e plotë të VLEN-it

“Nëse ka një gjë që shqiptarët nuk e kanë harruar, ajo është Ballkani i Hapur. Nuk e kanë harruar kush e promovonte, kush e mbronte dhe kush ishte i gatshëm ta sakrifikonte edhe interesin e Kosovës për një projekt të Aleksandar Vuçiqit.

Të gjitha partitë që sot përbëjnë VLEN-in kanë qenë kundër Ballkanit të Hapur. Ne kemi mbështetur Procesin e Berlinit, integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal që nuk e përjashton Kosovën dhe nuk e vendos rajonin nën hijen politike të Beogradit.

Ndërsa BDI-ja e Ali Ahmetit ishte në anën tjetër. Dhe sot, kur flasim për ndikimin serb, është koha t’ua kujtojmë shqiptarëve se kush i ka hapur dyert dhe kush mban përgjegjësi për vendimet e asaj kohe.

BDI-ja na paska lënë një trashëgimi të tërë, por tani kërkon t’ua ndërrojë prindërit projekteve të veta politike!

Alta Banka e Beogradit? Nuk është kopil, baballarët politikë i ka te BDI-ja, te ministrat e saj që propozonin dhe votonin vendimet qeveritare për bashkëpunimin me këtë bankë.

11 takimet në Beograd? As ato nuk janë kopil! Babën politik e kanë Bujar Osmanin, i cili si ministër i Jashtëm ndërtoi një agjendë të dendur takimesh me zyrtarët serbë. Le të tregojë çfarë interesash i shërbenin këto takime dhe çfarë përfitoi vendi prej tyre.

MTEL-i serb? As ky nuk është kopil! Hyrja e tij në treg ndodhi në kohën kur BDI ishte pjesë e pushtetit. Përgjegjësia politike për atë periudhë nuk mund të fshihet.

Daka Davidoviqi dhe projekti në Jelak të Tetovës kanë po ashtu baballarët e tyre, Teuta Arifin dhe BDI-në. Në kohën kur drejtonin komunën, për pak sa nuk e bënë Tetovën pashallëk privat të këtij biznesmeni serb të listës së zezë amerikane.

Projektet infrastrukturore me Serbinë? Edhe këto kanë autorë politikë. Ejup Rustemi dhe BDI-ja, me promovimet e projekteve infrastrukturore përkrah Ana Brnabiqit. Fotografitë dhe paraqitjet publike të asaj kohe nuk mund t’i fshijë propaganda e sotme.

Po Onishçenko? As nënshtetësia e tij nuk ra nga qielli! Oligarkut ruso-ukrainas të listës së zezë amerikane iu hap dera dhe iu dha nënshtetësia kur BDI-ja ishte në Qeveri. Edhe ky vendim i ka baballarët e vet politikë.

Pra, Ali Ahmeti, kur të flasim për këto projekte, mos kërko kopila! Secili ka baballarët e vet politikë. Alta Banka, MTEL-i, projektet me biznesmenët serbë dhe agjenda e Beogradit nuk janë krijuar nga VLEN-i. Janë pjesë e trashëgimisë politike të BDI-së!

Dallimi është i qartë: VLEN-i ishte kundër Ballkanit të Hapur dhe për Procesin e Berlinit. BDI-ja ishte promotore e Ballkanit të Hapur dhe e politikës së afrimit me Beogradin.

Për interesa të një grushti njerëzish, Kosova u la jashtë një projekti që kishte pasoja të qarta politike dhe strategjike për shqiptarët. Sot nuk mund të na shisni patriotizëm të vonuar, duke u munduar të na faturoni vendimet tuaja.

Ali Ahmeti, mjaft më! Mos u përpiq t’ua mohosh atësinë politike vendimeve që i ke mbështetur për vite me radhë. Mos e turpëro edhe më shumë veten dhe BDI-në.

Jep dorëheqje dhe pensionohu nga politika! Shqiptarët meritojnë përgjegjësi për 22 vitet tuaja në pushtet, jo ligjërata patriotizmi nga ata që sot përpiqen të ikin nga e kaluara e tyre.”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër