Brigada 112 “Mujdin Aliu” bën homazhe në Pollog për 5 Majin, Hazbi Lika: Dëshmorët janë themeli i lirisë

Nga Xh M
923 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 5 maj Zhurnal.mk – Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve, Komandanti i Brigadës 112 “Mujdin Aliu”, Hazbi Lika, i shoqëruar nga bashkëluftëtarë zhvilluan homazhe në vendprehjet e dëshmorëve të kombit në rajonin e Pollogut.

Aktiviteti përkujtimor u organizua në shenjë nderimi dhe respekti për sakrificën sublime të dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e popullit. Delegacioni vendosi kurora me lule dhe bëri homazhe në disa nga pikat më të rëndësishme përkujtimore, duke rikujtuar me përulësi idealin dhe rrugën e tyre.

Homazhet nisën nga Kalaja e Sellcës, një simbol i qëndresës dhe sakrificës historike në këtë rajon, për të vijuar më pas në lokacione të tjera në Pollog, ku të pranishmit ndaluan për të nderuar kujtimin e dëshmorëve. Aktiviteti u përmbyll në Kompleksin memorial në Teqenë e Tetovës, ku u mbajt edhe një moment reflektimi dhe përkujtimi kolektiv.

Gjatë këtij aktiviteti, Komandanti i Brigadës 112 “Mujdin Aliu”, Hazbi Lika, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të respektit të përhershëm ndaj dëshmorëve. Ai u shpreh se sakrifica e tyre nuk duhet harruar asnjëherë dhe se ajo mbetet themel i rrugëtimit kombëtar.

“Dëshmorët janë themeli i lirisë që gëzojmë sot. Ata dhanë jetën për një të ardhme më të drejtë dhe më dinjitoze për të gjithë ne. Është detyrë e secilit prej nesh që këtë sakrificë ta kujtojmë, ta nderojmë dhe ta përcjellim tek brezat e rinj, në mënyrë që historia të mos harrohet kurrë,” theksoi ai.

Më tej, ai shtoi se uniteti dhe përkushtimi ndaj vlerave kombëtare janë mënyra më e mirë për të nderuar veprën e dëshmorëve, duke apeluar për bashkim dhe angazhim në të mirë të shoqërisë.

Pjesëmarrësit në këtë përkujtim vlerësuan lart figurën dhe sakrificën e dëshmorëve, duke theksuar se ata mbeten burim frymëzimi për të ardhmen. Ata nënvizuan rëndësinë e kultivimit të kujtesës historike dhe të respektit ndaj atyre që dhanë më të shtrenjtën për lirinë.

Ky aktivitet u zhvillua në një atmosferë dinjitoze dhe plot respekt, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin për të mos harruar sakrificën e dëshmorëve dhe për ta mbajtur gjallë idealin e tyre ndër breza.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër