Zagreb, 8 shtator Zhurnal.mk – Në një fluturim ndërkombëtar drejt aeroportit të Zagrebit, pak ditë më parë ndodhi një incident që përfundoi me arrestimin e një 61-vjeçari, shtetas i Maqedonisë së Veriut, nën dyshimet për abuzim seksual ndaj një të miture.
Rrethanat në të cilat u zbulua ngjarja janë edhe më tronditëse.
Vajza 15-vjeçare, e cila udhëtonte e vetme drejt Zagrebit, në një moment thirri një stjuardesë dhe i kërkoi të shikonte diçka në telefonin e saj. Kur stjuardesa mori pajisjen, në ekran shkruhej:
“Kam shumë frikë nga ky burrë, a mund të më ndihmoni në ndonjë mënyrë?”
Duke ruajtur qetësinë dhe duke u shtirur sikur nuk kishte ndodhur asgjë, stjuardesa i tha vajzës se do t’i tregonte se ku ndodhej tualeti dhe e shoqëroi drejt kabinës së pilotëve.
Atje, vajza tregoi se një burrë i panjohur dhe më i moshuar, i cili kishte ulësen pranë saj, që në momentet e ngritjes së avionit kishte filluar ta prekte në pjesët intime, duke u shtirur se po e ndihmonte të lidhte rripin e sigurimit.
Menjëherë nga kabina e pilotëve u njoftua kulla e kontrollit të aeroportit të Zagrebit. Kështu, 61-vjeçarin nga Maqedonia e Veriut, pas uljes në aeroportin “Franjo Tuđman”, e priti policia dhe i kërkoi të shoqërohej me ta për të dhënë sqarime.
Megjithatë, biseda me policinë përfundoi në një hetim penal. I dyshuari u dërgua fillimisht në policinë kriminalistike, më pas në Prokurorinë Komunale të Shtetit dhe më vonë para gjykatës, ndërsa në fund u dërgua në paraburgim në burgun e Remetinacit.
Gjatë marrjes në pyetje, ai i mohoi akuzat, të cilat prokuroria i ka cilësuar si veprime të pahijshme, duke deklaruar se nuk e kishte prekur fare vajzën, por vetëm i kishte zgjatur rripin e sigurimit në mënyrë që ajo të mund ta lidhte.
