Shkup, 9 Prill, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sqaroi sot se kreu i kësaj partie opozitare, Ali Ahmeti, para një jave shqetësimet e tija për gjendjen aktuale rreth gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut përmes një letre publike ia ka dërguar edhe krerëve më të lartë të shteteve, Donald Trumpit të SHBA-ve, Emmanuel Macronit të Francës, Friedrich Merz të Gjermanisë, Keir Starmer të Britanisë së Madhe, Giorgia Melonit të Italisë, Kryetares së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Sekretarit të Përgjithsëm të NATO-s, Mark Rutte, e shumë zyrtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian, të OKB-së, e diplomatëve perëndimor në Shkup, shkruan Zhurnal.mk.
“Marrëveshja e Ohrit është themel i këtij shteti dhe kush e vë në pikëpyetje atë, vë në pikëpyetje vetë të ardhmen e tij. Shqipja nuk është privilegj, por e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë. Çdo tentativë për ta relativizuar apo kufizuar këtë të drejtë është një përballje e drejtpërdrejtë me rendin kushtetues dhe nuk do të kalojë pa përgjigje,“ shkruante Ahmeti në letrën e publikuar me 2 Prill, për shqetësimet e tij për mos-zbatimin e ligjit për përdorim të gjuhëve nga institutionet.
“ Çdo përpjekje për ta relativizuar, reduktuar apo dobësuar statusin e gjuhës shqipe nuk është thjesht debat juridik. Është prekje e një ekuilibri të ndërtuar me shumë mençuri politike, me shumë përgjegjësi dhe me shumë përkushtim për të ardhmen e përbashkët. Të reduktosh të drejtat gjuhësore do të thotë të reduktosh besimin. E kur cenohet besimi, dëmtohet vetë kohezioni i shtetit,” vazhdoi kreu i BDI-së për të ftuar zyrtarët perëndimor dhe qeveritë e tyre për të mbrojtur e zbatuar Marrëveshjen e Ohrit.
Ai më tutje shkruante në letër se mos-respektimi i gjuhës shqipe në Maqedoni dhe mos-zbatimi i ligjit të gjuhëve është edhe synim destabilizimi, dhe se i sheh edhe anëtarët maqedonas të Gjykatës Kushtetuese të vendit të përfshirë në këtë synim.
“Gjykata Kushtetuese të heqë dorë nga të qenurit institucion parapolitik dhe instrument i agjendave destabilizuese, duke rrënuar rendin kushtetues dhe barazinë në vend. Ky është qëndrimi im. I qartë, i panegociueshëm dhe i pakthyeshëm: nuk ka të ardhme pa barazi, nuk ka barazi pa dinjitet, dhe nuk ka dinjitet pa gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare. Kush prek këtë parim, prek vetë themelin e shtetit,“ përfundon letrën e tij dërguar Trumpit, Macronit, Merzit e të tjerëve.
Letra e Ali Ahmetit u dërgua në momentet e luftimeve në Lindjen të Mesme, midis SHBA-Israel dhe Iranit, një luftë shtesë në barrën e perëndimit përpos tashmë katër-vjeçe Rusi-Ukrainë.
Vëmendja e krejt botës, pra sidomos atyre që ua ka dërguar letrën Ahmeti ndodhet atje pra në Lindje të Mesme, ose edhe më saktësisht në Gjirin e Hormuzit.
Këtyre ditëve ka një armëpushim dy javësh, që u arrit me ndërmjetësimin e Pakistanit, ndërkohë që negociatat po vazhdojnë.
Se sa do të reagojnë, apo si do të reagojnë e përgjigjen Trump e krerët e tjerë të vendeve të BE-së në shqetësimit e Aliut dhe shqiptarëve të Maqedonisë për gjuhën shqipe, pritjet janë të zbehta.
Deri më tash nuk ka pasur ndonjë reagim publik nga diplomatët e ambasadës amerikane në Shkup për tensionet e reja midis shqiptarëve dhe maqedonasve, përkatësisht opozitës shqiptare dhe maqedonasve në pushtet për asnjë nga çështjet që rendit kreu i BDI-së.
Nuk ka patur reagim nga ambasada amerikane as për protestën e studentëve të juridikut, të cilëve ministri maqedonas i drejtësisë Igor filkov nuk po i lejonë tash për tash që të hyjnë në provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare, shkruan Zhurnal.mk.
E në të të njëjtën kohë, qeveria e Donald Trump dhe qeveria e Hristijan Mickoskit, këtë javë nënshkruan marrëveshje me interes të përbashkët ekonomik, e që përqëndrohen në mihje xehesh, përkatësisht ndihmën me 5 milionë dollarë për qeverinë e Mickoskit për të filluar mihjen e xehes Antimony, për të cilën ka nevojë industria amerikane e metalit.
U nënshkrua edhe një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) edhe për furnizmin e Maqedonisë së Veriut me gazin e lëngshëm (ang. LNG), për të ciliën vendi po bënë gati infrastrukturën ndërlidhëse me Greqinë për të ndërtuar termocentrale gazi për prodhim energjie elektrike.
Pritjet se perëndimi do të ndërmjetësojë midis shqiptarëve dhe maqedonasve për tensionet për goditjet e maqedonasve ndaj gjuhës shqipe janë minimale.
Ndonjë reagim aty-këtu, kur të pyetën diplomatët e tyre këtu në Shkup mediat vendore edhe mund ta marrin, por efekti i tyre nuk pritet që të ndryshojë gjë.
LNG-ja amerikane, xehja Antimony të cilën e ka Maqedonia e Veriut, e që të dyja bashkë në marrëveshjen në pritje të tregëtisë midis të dy shteteve është vëmendja e vetme e tashme e Washingtonit ndaj Maqedonisë së Veriut, të paktën kështu duket publikisht.
Dhe në rrethanat kur krerët e shteteve perëndimore dhe qeveritë e tyre duket se nuk kanë ndonjë gatishmëri tash për tash që të ndërhyjnë për ndonjë ndërmjetësim për të gjetur zgjidhje me çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut për shkak të problemeve të mëdha gjetiu në botë e që prekin drejtëpërdrejtë interesat e shteteve të tyre, opcionet e veprimeve politike të Ali Ahmetit e kolegëve të tij partiak mbeten të panjohura për publikun. / Zhurnal.mk.
