Mexhiti dhe Kasami paralajmërojnë: Provimi i jurisprudencës së shpejti edhe në gjuhën shqipe

Nga B.M
1,011 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 maj, Zhurnal.mk – Provimi i jurisprudencës pritet që së shpejti të mundësohet edhe në gjuhën shqipe, duke i dhënë fund një pritjeje të gjatë dhe kërkese të vazhdueshme të juristëve shqiptarë në vend.

Lajmin e kanë paralajmëruar krerët e koalicionit qeverisës VLEN, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, të cilët përmes kanaleve të tyre zyrtare (fejsbuk) kanë bërë të ditur se shumë shpejt priten lajme konkrete dhe pozitive në këtë drejtim.

Reagimi i Mexhitit dhe Kasasmit, vijenë në kohën kur çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore ka rikthyer debat të madh në opinion, ndërsa për nesër janë paralajmëruar protesta nga studentë, aktivistë dhe qytetarë shqiptarë që kërkojnë zgjidhje institucionale dhe trajtim të barabartë.

Sipas tyre, procesi është drejt finalizimit dhe do të përfaqësojë një hap të rëndësishëm drejt avancimit të të drejtave gjuhësore dhe barazisë në sistemin juridik.

Protestat po mbështeten fuqishëm edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, parti e cila ka akuzuar qeverinë aktuale për diskriminim dhe për mosrespektim të të drejtave të shqiptarëve në administratë dhe sistemin arsimor.

Megjithatë, në opinion janë shtuar edhe kritikat ndaj BDI-së, pasi kjo parti për vite me radhë ka qenë pjesë e qeverive dhe nuk ka arritur të zgjidhë përfundimisht problematikën e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet profesionale dhe institucionet shtetërore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër