Tiranë, 28 shtator Zhurnal.mk – Në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën Ndërparlamentare me temën “EU Enlargement: A Strategic Agenda for Europe’s Future”, e cila po mbahet në Tiranë, delegacioni i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut zhvilloi takim dypalësh me delegacionin e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian të Kuvendit të Republikës së Polonisë.
Në takim, nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonijo Milloshoski, bisedoi me Jarosllav Valensën, shef i delegacionit parlamentar polak, si dhe me Tomash Glogovskin, anëtar i Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian të Kuvendit Polak.
Në takim morën pjesë edhe Daniella Belimova, anëtare e Komisionit për Çështje Evropiane, si dhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Shqipërisë, Vele Tërpevski.
Milloshoski theksoi se bashkëpunimi parlamentar paraqet një kontribut të rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tradicionalisht të mira dhe miqësore ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Polonisë.
Ai i informoi bashkëbiseduesit polakë për proceset në vazhdim që lidhen me integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për përmbushjen e prioriteteve reformuese në drejtim të avancimit të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në kontekstin e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe ndërmjet dy vendeve, Milloshoski theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut parlamentar dhe shkëmbimit të përvojave, veçanërisht në fushën e integrimit evropian dhe proceseve reformuese.
Shefi i delegacionit parlamentar polak, Jarosllav Valensa, theksoi se Republika e Polonisë është e gatshme të vazhdojë, si edhe më parë, të bashkëpunojë në mënyrë aktive dhe të përkushtuar me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ta mbështesë atë në procesin e integrimit evropian.
Valensa theksoi se është i informuar për sfidat me të cilat përballet Maqedonia e Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian, përfshirë edhe çështjet me kontekst historik, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e dialogut të hapur dhe konstruktiv, si dhe të bashkëpunimit parlamentar.
Bashkëbiseduesit ranë dakord se intensifikimi i kontakteve parlamentare, shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira, si dhe mbështetja e ndërsjellë, janë të një rëndësie të veçantë për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe perspektivës evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Delegacioni i Komisionit për Çështje Evropiane, i udhëhequr nga kryetari Antonijo Milloshoski dhe i përbërë nga anëtarja e Komisionit, Daniella Belimova, e shoqëruar nga ambasadori Vele Tërpevski, po merr pjesë në Konferencën Ndërparlamentare “EU Enlargement: A Strategic Agenda for Europe’s Future”, e cila mbahet më 28 dhe 29 shtator 2026 në Tiranë.
Gjatë qëndrimit në Tiranë është planifikuar edhe një takim dypalësh me delegacionin e Republikës së Irlandës, ku pritet të diskutohen mundësitë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar, si dhe çështjet që lidhen me integrimin evropian dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Konferenca i kushtohet avancimit të dialogut ndërparlamentar për zgjerimin e Bashkimit Evropian, shkëmbimit të përvojave parlamentare dhe praktikave të mira në fushën e integrimit evropian, si dhe rolit të parlamenteve kombëtare në mbështetjen e një procesi të besueshëm, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
