Shkup, 2 korrik, Zhurnal.mk – Qytetarët e Shkupit hynë në muajin korrik duke “notuar” në mes të rrugëve. Shiu i rrëmbyeshëm shkaktoi përmbytje e dëme të mëdha, bllokada totale të rrugëve, fundosje të makinave në ujë, shtëpi të mbushura në ujë. Katastrofë totale në Klinikën e Onkologjisë gjitha aparatet u fikën përshkak të shiut. Si duhet të veprojnë institucionet në këto situata, shkruan Zhurnal.
Çfarë ndodhi dje në Shkup?
Dje në orët e pasdites, qytete të shumta të Maqedonisë së Veriut u vërshuan nga shiu i rrëmbyeshëm, por pasojat më të mëdha ishin në qytetin e Shkupit dhe Komunën e Çairit ku zona të caktuara ishin përmbysur tërësisht.
Katastrofa më e madhe ndodhi kur kati përdhes i Klinikës së Onkologjisë në Shkup pikërisht reparti ku kryhet radioterapia për pacientët me sëmundje malinje u përmbyt. Uji depërtoi në hapësirat ku ndodhen aparaturat e radioterapisë, duke krijuar një situatë të jashtëzakonshme. Menjëherë pas përmbytjes, drejtori i Klinikës, Igor Stojkovski, konfirmoi se aparaturat u fikën në kohë për të shmangur një rrezik të madh, duke theksuar se ekipi ka vepruar sipas protokolleve të sigurisë.
Në momentin kur uji hyri në repart, një paciente që po trajtohej me jod ndodhej brenda. Nxjerrja e saj u vështirësua për shkak të nivelit të ujit, duke krijuar tension dhe panik të kuptueshëm. Ndërkohë, në korridoret e Klinikës, personeli improvizoi me batanije dhe çarçafë për të thithur ujin dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tij. Disa pacientë dëshmuan se situata ishte kaotike, ndërsa një prej tyre i shqetësuar nga rreziku dhe mungesa e kontrollit, ka reaguar ashpër dhe ka kërcënuar personelin.
Klinika njoftoi se është në komunikim të vazhdueshëm me Agjencinë për Siguri nga Rrezatimi dhe se asnjë pacient nuk është ekspozuar ndaj rrezikut radiologjik. Megjithatë, dëmet materiale ende nuk janë vlerësuar, ndërsa funksionimi i aparaturave mbetet i pezulluar deri në sanimin e plotë të hapësirës.
Çfarë tregon kjo gjendje?
Kjo ngjarje e zhvilluar brenda pak orësh është pasqyrë e qartë e realitetit në të cilin jetojmë. Pra, kur ka rreshje të zakonshme shiu mund të paralizohet një repart kritik siç është Onkologjia. Përmbytja nuk është thjesht pasojë e motit të keq, por e mungesës së investimeve, mirëmbajtjes dhe standardeve të sigurisë në objektet publike. Radioterapia është një nga hapësirat që duhet të ketë mbrojtjen më të lartë teknike, por dje u përmbyt si një bodrum i zakonshëm.
Shiu djeshëm na tregoi qartë se në çfarë kushtesh po jetojmë. Ai nuk përmbyti vetëm një repart përmbyti iluzionin se institucionet tona janë të sigurta, të mirëmbajtura dhe të përgatitura për sfida minimale. Nëse radioterapia përmbytet pas një rreshje shiu, atëherë problemi nuk është moti por sistemi.
Komuna e Çairit dhe gjitha komunat tjera kanë nxjerr numra kontakti për të denoncuar dëmet eventuale të shkaktuara nga kushtet klimatike, por kjo masë duket më shumë si veprim sanues sesa parandalues. Do të ishte e rendit që qytetarët mos të traumatizohen por të merren masa paraprake dhe të investohet mirë e me kujdes të veçantë që të evitohen gjitha pasojat e mundshme. /Zhurnal.mk
