Prishtinë, 30 prill, Zhurnal.mk – Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin e 84-të, apo 15 vende më mirë sesa vitin paraprak.
“Me përjashtim të Kosovës, që shënoi përparim pavarësisht se mbetet një nga shtetet me renditjen më të ulët në Evropë, liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi po përkeqësohet”, thanë Reporterët pa Kufij.
Vitin e kaluar, Kosova shënoi regresin më të madh në indeksin e lirisë së mediave të organizatës Reporterët pa Kufij duke u radhitur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete – rënia më e madhe në 15 vjet në indeksin vjetor të lirisë së shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, raporton REL.
Çfarë thuhet për lirinë e medias në Kosovë?
“Rregullatori joefektiv i mediave, Komisioni i Pavarur për Media [KPM], ishte subjekt i një reforme legjislative, e cila u shpall jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese”, u tha në pjesën për Kosovën të raportit të Reporterëve pa Kufij.
Në prill të vitit 2025, Gjykata Kushtetuese e Kosovës shfuqizoi Ligjin për KPM-në, duke argumentuar se disa nene nuk ishin në përputhje me Kushtetutën.
Pjesët që u gjetën që nuk ishin në përputhje kishin të bënin me zgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të komisionit, kompetencat e KPM-së, rregullimin e pronësisë dhe disa pika që kishin të bënin me sanksionet dhe gjobat.
Reporterët pa Kufij vënë në pah se sistemi gjyqësor i Kosovës ka nisur të trajtojë “si prioritet” rastet që kanë të bëjnë me gazetarët.
“Por, gjithnjë e më shumë gazetarë kanë qenë subjekt i padive SLAPP [padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike] të iniciuara nga grupe biznesi dhe politikanë”, tha raporti, ku u shtua se qasja në informacione publike është penguar nga zbatimi i dobët i ligjit.
Sipas raportit për vitin 2026 të Reporterëve pa Kufij, edhe pse mediat arritën të mbanin përgjegjës politikanët, gazetarët “vazhdojnë të jenë subjekt i sulmeve politike”.
Aty thuhet se ndonëse gazetarët gëzojnë besim nga shoqëria, mediat e pavarura dhe gazetarët hulumtues “shpesh janë cak i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale”.
“Ata pa të drejtë akuzohen për ‘bashkëpunim me armikun’, retorikë e përdorur nga grupe politike dhe fetare”.
“Në vitet e fundit, shumë gazetarë kanë qenë subjekt i kërcënimeve dhe sulmeve fizike nga rrjete kriminale, por po ashtu edhe për shkak të tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit. Disa gazetarë po ashtu kanë qenë cak i vëzhgimit. Disa sulme të ndodhura së voni ndaj gazetarëve kanë rezultuar me dënime”.
Raporti përmend po ashtu bojkotin nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti para zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025, kur “disa media private ishin në cak të bojkotit të Qeverisë, që po ashtu kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK”.
“Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informacion publik, veçmas në gjuhën e tyre, gjë që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, tha organizata.
Ndërkaq, në pjesën e financimit të mediave thuhet se mediat në Kosovë kryesisht financohen nga të ardhurat e reklamave nga sektori privat dhe po ashtu ndonjëherë mbështeten nga autoritetet lokale apo partitë politike.
“Përveç kësaj, përmes pronarëve të tyre, redaksitë e mediave private janë të ekspozuar nga ndërhyrja nga grupe të fuqishme politike apo biznesore. Mediat në gjuhën serbe përballen me një sfidë shtesë, atë të tregut të vogël në të cilin organizatat mediale varen nga financimi nga Serbia fqinje, ndërkaq mediat e pavarura nuk do të mund të mbijetonin pa financim ndërkombëtar”.
