SHBA-të të interesuara për xehet e Maqedonisë së Veriut, cilat zona do të përfitojnë?

Nga B.M
1,350 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 prill, Zhurnal.mk – Marrëveshja e fundit mes DFC-së amerikane dhe kompanisë Pela Global për ringjalljen e minierës së Krstov Dol në Maqedoninë e Veriut ka hapur një mundësi të re për rajonin e Likovës. Ky projekt, me një financim fillestar prej 5 milionë dollarësh, synon të konfirmojë sasinë e rezervavetë xeheve, të përditësojë studimet e fizibilitetit dhe të përgatisë terrenin për ndërtim e operim të plotë, shkruan Zhurnal.mk.

LikovaKrstov Dol dhe Kozhuf përpara një shanci ideal për ringjallje – 

Qeveria e SHBA-ve më 7 prill 2026 vendosi që të ndihmojë qeverinë e Maqedonisë së Veriut me 5 milionë dollarë për të filluar mihjen e xehes Antimony.

“Të dy vendet mirëpritën vendimin e Korporatës Ndërkombëtare të Financimit për Zhvillim të SHBA-së për të dhënë 5 milionë dollarë ndihmë për të rifilluar mihjen e Antimonit në Maqedoninë e Veriut. Marrëveshja tregon angazhimin e përbashkët për të zhvilluar furnizime alternative të mineraleve kritike thelbësore për ruajtjen e përparësisë konkurruese në ekonominë globale,” tha State Department i SHBA-ve në komunikatën pas bisedimeve midis të dy qeverive në kuadër të “dialogut strategjik”.

Sa do të përfitojë Likova?

Për Likovën pyetja kryesore është sa mund të jetë sasia e Antimonit dhe çfarë përfitimesh sjell kjo? 

Nëse rezervat konfirmohen të konsiderueshme, zona mund të shndërrohet në një qendër të rëndësishme minerare, duke gjeneruar vende pune, të ardhura për komunën dhe investime në infrastrukturë. Përfitimet nuk janë vetëm ekonomike ato lidhen edhe me rritjen e profilit strategjik të rajonit në hartën industriale globale.

Se si do të ndahen këto 5 milionë dollarë parametri ideal dhe parimor do të ishte investimi i shumës  në bazë të produktivitetit të zonës. Që më poshtë do të sjellim kontekst historik mbi minerën në zonën e Likovës, më saktësisht, në fshatin Llojan. Për ta kuptuar çfarë peshe dhe rëndësie ka rivalitizimi i kësaj miniere që do të sjellë përfitim të shumëanshëm. Investituorët, banorët, e natyrisht edhe për vendin në tërësi.

Pak kontekst mbi minierën e fshatit Llojan në Komunën e Likovës 

Miniera e fshatit Llojan është një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të zonës, e njohur për nxjerrjen e kromit, arsenit dhe antimonit. Ajo ka pasur një rol të madh në zhvillimin ekonomik dhe jetën sociale të banorëve të Llojanit, Vaksincës, Miratocës, Tërrnavës, Runicës, Tabanocës dhe shumë fshatrave të tjera të kësaj zone për disa dekada, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e fshatit me rrethinë.

Miniera e Kromit, Antimonit dhe Arsenit e fshatit Llojan njihet si një nga minierat që ka funksionuar pothuajse pa ndërprerje nga viti 1923 deri në vitin 1979. 

Në tri vitet e para të veprimtarisë së saj, miniera ka përpunuar vetëm Krom. Në vitin 1956 fillon edhe përpunimi i Arsenit, ndërsa në vitin 1959 zgjerohet veprimtaria edhe me përpunimin e Antimonit, pasi zona është e pasur me këto tri lloje xeherorësh. Miniera e fshatit Llojan shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 10 km².

UNEP-i ka vizituar minierën e Llojanit dhe ka analizuar përbërjen e materialeve të nxjerra, duke konstatuar një përmbajtje prej 8.093 mg/kg Arsen, që paraqet një sasi rreth 50 herë më të madhe se niveli i përbërjes natyrore të arsenit në Gjermani.

Që nga viti 1979, miniera e fshatit Llojan është e braktisur, duke mbetur vetëm infrastruktura dhe teknologjia e vjetër. Pas ndërprerjes së veprimtarisë minerare, e gjithë struktura ndërtimore dhe deponitë, me rreth 3 milionë tonë mbetje, kanë mbetur të paprekura nga institucionet shtetërore, duke paraqitur rrezik serioz për helmimin e tokave bujqësore të fshatit Llojan dhe mjedisit përreth.

Miniera e Kromit, Antimonit dhe Arsenit e fshatit Llojan ka pasur një rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të komunave të Likovës, Kumanovës dhe Preshevës (Republika e Serbisë), si dhe për disa qytete të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si: Beogradi, Tuzla, Titogradi (Podgorica e sotme), Bihaqi, Valjeva dhe Bujanovci.

Duhet theksuar se të gjithë të punësuarit në këtë zonë i kanë siguruar të ardhurat dhe mirëqenien materiale përmes punës në minierën e fshatit Llojan, e cila për dekada me radhë ka qenë shtylla kryesore e jetës ekonomike të këtij rajoni.

Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë edhe zona të tjera 

Përveç Krstov Dol-it, janë përmendur edhe dy lokacione të tjera me potencial rezervash për Antimon. Edhe pse studimet e plota mungojnë, çdo pikë e re e nxjerrjes do të shtonte kapacitetin kombëtar dhe do të diversifikonte burimet. Kjo do të thotë më shumë mundësi për zhvillim rajonal, më shumë investime të huaja dhe një rol më të madh të Maqedonisë së Veriut në zinxhirët e furnizimit global.

Sqarojmë që, ky projekt nuk është thjesht ekonomik pasi ka një dimension të qartë gjeopolitik reduktimin e varësisë nga Kina dhe sigurimin e furnizimit për SHBA-në dhe aleatët e saj. Likova dhe rajonet përreth, përmes kësaj xehe futen në një lojë të madhe strategjike ku mineralet kritikë janë po aq të rëndësishëm sa energjia apo teknologjia.

Likova dhe lokacionet e tjera ku ka xehe nëntokësore në Maqedoninë e Veriut kanë një mundësi të rrallë për të hyrë në hartën globale të xeheve kritike. 

Pyetja nuk është vetëm sa Antimon ka, por si do të menaxhohet ky potencial a do të kthehet në zhvillim të qëndrueshëm për komunitetin lokal, apo thjesht në një burim i shfrytëzuar për tregjet ndërkombëtare? /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër