Shkup, 22 qershor, Zhurnal.mk – Analisti Naser Pajaziti ka reaguar përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, duke adresuar kritika të ashpra ndaj analistit nga Kosova, Berat Buzhala, lidhur me komentet për protestat e shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut.
Pa e përmendur fillimisht me emër, Pajaziti i krahason disa analistë nga Kosova me “autolarjet”, duke aluduar se reagojnë vetëm kur kanë interes.
“Tipat e disa (b)analistëve nga Kosova jonë janë bërë si ato autolarjet që pa ja fut lekun apo zhetonin s’çesin shkumë e as s’ta hjekin pisllekun”, shkruan Pajaziti.
Ai kritikon komentet sipas të cilave shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk duhet të protestojnë në Tiranë, por në Tetovë.
“O trima të ‘lavazheve të kombëtarizmit’, shqiptarët këtu për dy dekada kanë përjetu dhjetëra raste e skenare makabre, segregacion e diskriminim e tana të zezat. E ju ku ishit atëherë me alamet mediat e juaja. Por jo, sepse kishit agjenda tjera, qepët gojën dhe heshtët!”, shprehet ai.
Në vazhdim të reagimit, Pajaziti pretendon se heshtja e dikurshme ka qenë e motivuar nga interesa të tjera.
“Ne sot shumë mirë ju kuptojmë se atëkohë zhetonat ju shkonin flakë, tu i’u ‘guksu’ në kasat e kursimeve! Prandaj mos na shitni moral prej distancës se ju njohim!”, përfundon ai.
Reagimi i Pajazitit vjen pas debatit publik të ditëve të fundit lidhur me organizimin e protestës së shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut në Tiranë dhe komenteve të analistit Berat Buzhala për këtë çështje.
