Shkup, 8 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Ali Ahmeti, i shoqëruar nga ish-ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, nënkryetari Faton Ahmeti dhe sekretari i përgjithshëm Arbër Ademi, mori pjesë sonte në pritjen e organizuar nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Michalis Rokas, me rastin e Ditës së Evropës.
Nga BDI theksojnë se integrimi evropian mbetet orientimi i vetëm strategjik për Maqedonia e Veriut, ndërsa partia vazhdon të insistojë në përshpejtimin e ndryshimeve kushtetuese për të zhbllokuar procesin eurointegrues të vendit.
Në deklaratën e tij, Ahmeti potencoi rëndësinë e vlerave evropiane dhe përkushtimin për vazhdimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian.
“Sonte, së bashku me bashkëpunëtorë, mora pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Evropës, një ngjarje që simbolizon vlerat e bashkëpunimit, paqes dhe integrimit evropian.
Rruga jonë drejt Evropës mbetet orientim i palëkundur politik dhe strategjik. Angazhimi për institucione të forta, barazi, demokraci dhe perspektivë evropiane për qytetarët tanë vazhdon me përkushtim të plotë”, ka deklaruar Ahmeti.
Pritja e organizuar nga ambasadori Rokas mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, partive politike, trupit diplomatik dhe sektorit civil, në prag të shënimit të 9 Majit – Ditës së Evropës.
