Tiranë, 21 maj, Zhurnal.mk – Seanca plenare e kësaj të enjte në Kuvendin e Shqipërisë nisi me debate. Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, akuzoi ministrin e Drejtësisë, Toni Gogun, se ka gënjyer sa i përket miratimit të raportit të IBAR-it.
“Me çfarë pafytyrësie, ose paaftësie, mundte një ministër të japë një lajm që s’është i vërtetë. Raporti i IBAR nuk është miratuar. Unë nuk e di me çfarë kurajë mund të dalësh. Të paktën tre vende anëtare nga 27 kanë pasur probleme me grupkapitujt e parë. E kanë shtyrë deri të premten. Të paktën ministri Gogu të priste deri të premten. Pra, ministër Gogu, që shpërndan lajme të pavërteta dhe që i jep meritat Edi Ramës që s’i meriton, të dalë të kërkojë falje. Kërkoj që ministri të kërkojë falje”, u shpreh Albana Vokshi.
“Unë dola në konferencë për të informuar punën e palodhur të kolegëve të ministrisë së Drejtësisë në procesin e negocimit të pikave të ndërmjetme. Ka qenë një 18-mujor intensiv. Ku kolegët e Ministrisë së Drejtësisë kanë arritur të dërgojnë në Bruksel 8 mijë faqe. 90 takime kanë ndodhur atje në Bruksel, 70 institucione janë koordinuar në Shqipëri për të dorëzuar ato rezultate faktive që janë duke u shqyrtuar nga grupi i punës dhe vendimmarrësit. Shpjegova se si procesi është dinamik, si negociatat lëvizin dhe nuk ngecin. Gjatë kohës kur kolegët e Ministrisë së Drejtësisë punonin të çonin 8 mijë faqet, më vjen keq që ju keni kontribuar në 8 mijë akuza të ngecies së procesit. Si ka mundësi, që smira juaj politike ndaj progresit të një shoqërie të tërë… Se jeni i vetmi informacion shoqëror që shkoni 36 vjet mbrapa. Ndërkohë që Shqipëria ecën, ju vini këtu dhe ngrini një sërë akuzash, që mua më vjen keq, por unë i kam dëgjuar edhe më parë. Kam dëgjuar që Kryeministri nuk shkon dot në Amerikë, Shqipëria nuk progreson përpara”, tha ndër të tjera Toni Gogu.
