Editorial / 11 vjet pas ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ku mbeti hetimi ndërkombëtar?

Nga B.M
1,810 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 maj, Zhurnal.mk – Nesër bëhen 11 vjet kur banorët e Kumanovës u zgjuan të trishtuar nga krismat e automatikeve, madje edhe artilerive të rënda. Policia e shtetit me të gjitha njësitë speciale, më 9 maj 2015, kishin rrethuar Lagjen e Trimave për të kapur siç thanë ata, një grup të armatosur me rreth 40 persona, që kishin hyrë nga Kosova, nga ku edhe filloi shkëmbimi i zjarrit ndërmjet tyre. Dy vite më vonë u premtua publikisht një hetim ndërkombëtar mbi këtë rast, por tashmë kur po bëhen 11 vjet as që përmendet hetimi ndërkombëtar, shkruan Zhurnal.mk.

Çfarë ndodhi më 9 maj të vitit 2015 në Kumanovë?

At ëditë një përplasje e armatosur në Kumanovë ndodhi midis forcave policore të vendit dhe një grup i armatosur prej afro 40 vetash, kur për pasojë mbetën 8 policë të vrarë, 37 të tjerë të plagosur dhe 10 persona të vrarë nga grupi i armatosur.

Grupi i armatosur, që sipas aktakuzës kanë kryer veprën terrorizëm dhe organizim terrorist, u gjykuan me gjithsej 7 shekuj e gjysmë burg pra 746 vjet, 7 prej tyre me burg të përjetshëm, 13 persona u dënuan me nga 40 vjet burg, gjashtë me nga 20 vjet, një me 18 vjet, dy me nga 14 vjet, dy me nga 13 vjet dhe me nga 12 vjet, 4 prej të akuzuarve janë liruar

Ky aksion i policisë, që ngjante me gjendje lufte pasi u dogjën edhe disa shtëpi, zgjati dy ditë dhe u bllokua pothuajse i gjithë qyteti.

Si vazhdoi tutje hetimi mbi këtë ngjarje?

Funksionarë të qeverisë së kaluar në çdo prononcim të tyre kur janë pyetur mbi këtë çështje kanë deklaruar se duhet të nxitet dhe të kryhet një hetim ndërkombëtar. Por, edhe pas 11 vitesh ky hetim nuk ndodhi dhe as që pritet se do të ndodhë.

Hetimi për të kuptuar motivet e grupit të armatosur ishte premtuar ekskluzivisht nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, pak ditë pas përleshjes së armatosur.

“Kjo do një hetim shumë të fortë, por që do edhe angazhimin e hetuesisë ndërkombëtare sepse nuk është aq e thjeshtë të shohim deri në inde se në shërbim të kujt ishin, çfarë qëllimi kishin dhe çka deshën të realizojnë”, kishte deklaruar pak muaj më vonë pas ngjarjes, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Duke u thirrur në Qeveri reformatore, edhe ish-kryeministri, Zoran Zaev, pak muaj pas marrjes së mandatit kishte premtuar një hetim ndërkombëtar për Lagjen e Trimave.

“Po i shqyrtojmë mundësitë se si do të ishte e mundur që të bëhet ai hetim në rastin Kumanova. Është e shkruar edhe në programin qeveritar se për të gjitha vendimet gjyqësore të cilat janë në interes të qytetarëve të mos ketë dilema, paqartësi dhe reagime. Besoj se do të gjejmë mënyra me faktorin ndërkombëtar me qëllim që të bëhet hetim ndërkombëtar për rastin “Kumanova”, ish-kryeministri Zoran Zaev, deklaroi në vitin 2018.

Premtime dhe kërkesa të ngjashme ishin dhënë edhe në Kosovë, duke përfshirë nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, por edhe nga kryeministri në detyrë Albin Kurti. Kyçjen e faktorit ndërkombëtar në hetimin e rastit të Kumanovës e kanë kërkuar edhe të gjitha partitë politike shqiptare.

Hetimin ndërkombëtar për rastin Lagja e Trimave e kërkuan edhe familjarët e të dënuarve të cilët edhe kanë protestuar disa herë nëpër qytete të ndryshme me qëllim inicimin e hetimit ndërkombëtar. Por, edhe sot kur po shkruajmë 11 vjet më vonë akoma asnjë hap nuk është ndërmarrë në këtë drejtim për hetim ndërkombëtar.

E vërteta mbi këtë ngjarje akoma e paqartë

Ky rast dëshmon se mungesa e një hetimi të paanshëm dhe ndërkombëtar jo vetëm që ka lënë të paqartë të vërtetën për ngjarjen, por ka prodhuar edhe një ndjenjë padrejtësie te familjarët e të dënuarve dhe te opinioni publik. Përkundër dënimeve të rënda të shqiptuara nga gjykatat, dilemat mbi motivet e grupit të armatosur, rolin e shërbimeve të sigurisë dhe implikimet politike nuk janë sqaruar.

Në këtë kontekst, Lagja e Trimave, nuk është thjesht një histori e një tragjedie të vitit 2015, por një simbol i mungesës së transparencës dhe i dështimit për të ndërtuar besim në drejtësi. Prandaj, për të ecur përpara është e domosdoshme që institucionet të rikthejnë këtë çështje në agjendë, duke e trajtuar jo si barrë politike por si detyrim moral dhe ligjor ndaj qytetarëve dhe ndaj vetë shtetit. Kjo pastaj do të ndikonte në rritjen e besueshmërisë në organet e drejtësisë. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër