Ndahet nga jeta gazetarja Irena Radovanoviq, humbje e madhe për gazetarinë maqedonase

Nga B.M
1,089 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 08 maj, Zhurnal.mk – Pas një sëmundjeje të gjatë, në moshën 53-vjeçare ka ndërruar jetë gazetarja e MIA-s, Irena Radovanoviq, një nga figurat e njohura të gazetarisë maqedonase, veçanërisht në fushën e politikës së brendshme, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve.

Karrierën e saj gazetare e nisi në javören “Fokus” në vitin 1991, ku punoi deri në vitin 2001, pas së cilës vazhdoi në gazetën “Veçer” si gazetare në rubrikën e politikës së brendshme. Në vitin 2004 u bë pjesë e redaksisë së “Nova Makedonija”, ndërsa në vitet 2006 dhe 2007 punoi në gazetën e përditshme “Makedonija Denes” dhe javören “Denes”. Ajo ka punuar gjithashtu në javoret politike “Forum”, në gazetën “Dnevnik” dhe në Radion “Slobodna Makedonija”.

Pjesë e ekipit të agjencisë së lajmeve MIA u bë në vitin 2014, si gazetare në redaksinë e politikës së brendshme dhe gazetare-analiste.

Me largimin e saj, MIA dhe gazetaria maqedonase humbën një profesioniste të përkushtuar, e cila do të mbetet përgjithmonë në kujtesë.

“U largua Irena jonë. Luftuam për një vit e gjysmë. Vështirë, me dhimbje, por edhe me shpresë. Të vogël, por shpresë. Në fund, u dorëzua. Ka vite, muaj dhe ditë që janë vërtet të rënda. Këto janë pikërisht të tilla”, ka shkruar në Facebook drejtori i MIA-s, Darko Janevski.

Varrimi do të bëhet nesër në varrezat në Radishan, në ora 11:00, ndërsa ceremonia në kapelë fillon në ora 10:30.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër