Shkup, 4 shtator, Zhurnal.mk – VLEN ka prezantuar një iniciativë për krijimin e një qasjeje të përbashkët në parandalimin dhe trajtimin e dhunës në shkolla, me përfshirjen e komunave, shkollave, psikologëve, mësimdhënësve dhe prindërve.
Në një konferencë për media, Teuta Idrizi nga VLEN-i, njëherësh drejtoreshë shkolle, tha se shenjat e dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve shfaqen shumë më herët dhe se institucionet duhet të reagojnë në kohë.
Sipas saj, Komuna e Çairit ka ndërmarrë hapat e parë për krijimin e një platforme që do të bashkojë institucionet lokale, shkollat dhe shërbimet profesionale.
Iniciativa synohet të shtrihet edhe në komunat e tjera ku udhëheq VLEN-i, ndërsa ftesë për t’iu bashkuar nismës u është bërë edhe komunave të tjera.
Idrizi theksoi se koncepti i “zero tolerancës” nuk nënkupton vetëm ndëshkimin pas incidentit, por edhe parandalimin, identifikimin me kohë të rasteve dhe mosrelativizimin e bullizmit.
“Shkolla duhet të jetë vend ku fëmijët mësojnë, zhvillohen dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre, jo vend ku ndihen të frikësuar apo të pambrojtur”, deklaroi Idrizi.
